Prokuroria e Tiranës thotë se ka nisur procedim penal për dëmet e shkaktuara nga gurorja e fisit Rraja që dy muaj më parë, duke ia deleguar më pas Komisariatit të Krujës për kryerjen e veprimeve hetimore.
Reagimi i Prokurorisë së Tiranës vjen pas dyshimeve se ishte Policia e Krujës, që me mosveprimet e saj apo duke favorizuar njërën palë, bëri që konflikti të degjeneronte në dhunë brutale nga fisi Rraja ndaj vëllezërve të fisit Maja.
Këta të fundit ishin ankuar disa herë në Komisariatin e Krujës, por sipas një prej të dhunuarve, jo vetëm që nuk kishin marrë pëgjigje pozitive, por edhe ishin kërcënuar me arrestim.
Sipas Prokurorisë së Tiranës procedimi për “Shkatërrim Prone” është regjistruar në darën 18 maj të këtij viti dhe i është deleguar Komisariatit të Krujës në25 maj.
Reagimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria Tiranë hetime për dy procedime penale për “Shkatërrim i Pronës” në Krujë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke marë shkas nga interesimi i mediave, në bazë të njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, ju bën me dije se:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, më datë 18.05.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.3223 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Me shkresën Nr.6422, të datës 25.05.2023, dosja i është deleguar për kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë.
Në vijim të materialit të referuar me nr.1466 nga Komisariati i Policisë Krujë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 19.06.2023 ka regjistruar procedimin penal nr.3872 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 të Kodit Penal. Çështja vijon ende në fazën e hetimeve paraprake.