Detaje nga vrasja e Lulzim Vishës, autorët e pritën 200 metra larg banesës

25 Janar 2025, 17:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lulzim Visha

Personi që shihni në foto është 48-vjeçari, Lulzim Visha që mbeti i vrarë mëngjesin e së premtes sapo doli nga banesa e tij në Zall Mner të Kamzës.

Viktima po lëvizte me makinën e postës private ku punonte, kur autorët i prenë rrugën me një fuoristradë tip “Porche” ngjyrë gri dhe hapën zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend.

Dy persona mendohet të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje, të cilët pasi janë siguruar se kanë eliminuar 48-vjeçarin, janë larguar në drejtim të Zall Herrit aty ku dhe dogjën makinën së bashku me armën e krimit.

Nga verifikimet e policisë, automjeti rezulton i vjedhur në Elbasan në vitin 2022, ndërsa targat janë vjedhur në Kamzë dy vite më parë.

Nga hetimet e deritanishme, policia po verifikon disa pista, qoftë të ndonjë konflikti të mundshëm të viktimës kohët e fundit, apo të familjarëve të tij. Për ngjarjen në pyetje janë marrë disa persona, ndërsa janë ushtruar kontrolle në disa zona të qytetit të Kamzës. Mes tyre dhe një shtëpi fare pranë vendit ku u ekzekutua 48-vjeçari, ku policia arrestoi një 37 vjeçar, të identifikuar si Eduart Lami.

Sipas uniformave blu, në banesën që përdorej nga i prangosuri dhe kushëriri i tij, Ervis Lami tashmë i shpallur në kërkim u gjet një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, dhe 4 gëzhoja arme.

Të gjitha këto sende janë dërguar për ekzaminim, për të mësuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Video