Detaje të reja mësohen nga vdekja tragjike e 20-vjeçarit shqiptar Antonio Daja në një aksident tragjik me makinë në Greqi.
I riu shqiptar i cili ishte duke shkuar në punë së bashku me një shokun e tij, u godit nga makina e këngëtarit grek Janis Ksanthopoulos, i cili po udhëtonte me nënën.
Mediat greke, duke publikuar pamjet filmike nga kamerat sigurisë thonë se këngëtari grek ishte me shpejtësi “skëterrë” duke ecur me mbi 80 kilometra në një zonë urbane ku limiti është 50 kilometra.
Megjithatë në asnjë rast nuk përmenden akuzat për shkelje ndaj këngëtarit grek. Në fakt policia greke thotë se faji i takon një makine të tretë, e cila i preu rrugën makinës së këngëtarit grek duke e detyruar të bëjë një manovër dhe të godasë makinën ku ndodhej 20-vjeçari nga Vau i Dejës.
Autoritetet greke thonë se po punojnë për identifikimin e shoferit të kësaj makine, për ta ngarkuar me akuzat për vrasje nga pakujdesia.
Sakaq, familjarët e Antonios janë ende të tronditur nga ngjarja e rëndë. Ata thonë se ai ishte një djalë shembullor që kishte mbarruar shkollën dhe punonte në një kantinë vere.
Nëna e këngëtarit grek është shprehur “e lumtur” që djalin ka gjallë, teksa ai po merr mjekim në spital. Ajo ka thënë se nuk i kanë treguar se aksidenti ka shkaktuar viktima.