“Bota lufton për të drejtat e të gjitha grave, përveçse kur ato janë izraelite”.
Kështu shprehet e prekur ambasadorja izraelite në Shqipëri, Galit Peleg, e cila në një intervistë për kryeredaktorin e Albanian Daily News, Alqi Koçiko, gjithashtu kritikon mungesën e reagimit të grave lidere shqiptare në lidhje me trajtimin e grave pengje izraelite në këtë 8 mars.
E pyetur për Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe ndjesitë e saj në këtë periudhë lufte ajo thotë se në këtë moment mendimet e saj shkojnë për gratë dhe vajzat e marra peng.
“Edhe në Izrael, Dita Ndërkombëtare e gruas kjo është një ditë e shënjuar, ku theksohet nevoja për të drejta të barabarta për gratë, por këtë vit është ndryshe. Këtë vit nuk mund të flasim më për koncepte si fuqizimi dhe barazia kur të drejtat themelore të grave për liri po shkelen nga terroristët në Gaza.
Rastësisht, katër ditë përpara 8 marsit, përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për dhunën seksuale në konflikt publikoi një raport pas vizitës në Izrael. Raporti mbështeti atë që Izraeli pretendon prej gati 5 muajsh, për sulmet e tmerrshme seksuale të kryera nga terroristët e Hamasit më 7 tetor.
Ai gjithashtu i referohet situatës së 19 pengjeve femra që janë ende në duart e Hamasit, së bashku me 115 burrat izraelitë të mbajtur në Gaza.
E gjithë bota duhet të flasë me zë të lartë dhe të bëjë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre. Për fat të keq për PESË MUAJ organizatat e grave në mbarë botën nuk kanë bërë asnjë zë. Pse? Me thuaj”, thotë ajo.
“Gjatë fundjavës së Ditës Ndërkombëtare të Gruas, shfaqëm në ekranet e reklamave, përreth sheshit Skënderbej dhe zonës së Bllokut, një klip ku shfaqen fytyrat e grave peng, për tu sensibilizuar me këtë çështje të rëndësishme. Ftuam një mjeshtër izraelit të arteve marciale, Dr. Guy Spak, i cili trajnoi gratë shqiptare që kanë vuajtur nga dhuna në familje dhe gjithashtu mbajti një leksion për këtë temë në departamentin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Përveç kësaj, unë personalisht u dërgova një letër shumë grave lidere në Shqipëri, duke përfshirë anëtarë të qeverisë, parlamentit, organizatave të grave dhe madje edhe ambasadorëve të huaj në Tiranë dhe u dërgova një lidhje me raportin e OKB-së.
Në këtë mesazh u kërkova që të ngrenë zërin për pengjet. Fatkeqësisht deri në këtë moment nuk kam marrë asnjë përgjigje. Zero.
Përsëris, nuk e di pse gratë avokate stepen për mbrojtjen e atyre grave izraelite që po mbahen peng nga terroristët, janë marrë dhe nuk mbrohen nga asnjë ligj, nuk janë vizituar nga Kryqi i Kuq apo ndonjë ent tjetër ndërkombëtar. Është sikur bota lufton për të drejtat e të gjitha grave në botë, por përveç rastit kur ato janë izraelite.
Pra, kur më pyesni për mendimet e mia në këtë ditë të veçantë kushtuar grave, gjithçka që më vjen në mendje janë Shiri, Noa, Arbeli, Romi, Doron, Agam, Karina dhe të tjerët. Fotot e tyre janë para syve të mi 24 orë në ditë, derisa të kthehen në shtëpi”, thotë mes të tjerash zonja Peleg.