Detaje nga atentati në Milot/ E ndoqi me “Audi” dhe e qëlloi disa herë, konflikti pas divorcit me motrën e autorit të dyshuar

2 August 2026, 11:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Detaje nga atentati në Milot/ E ndoqi me “Audi” dhe e
Foto ilustruese

Një divorc dyshohet se është në zanafillën e sulmit me armë që ndodhi pasditen e së shtunës në Milot

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore ku janë përqendruar hetimet lidhet me një konflikt familjar mes autorit të dyshuar dhe 30-vjeçarit që ishte shënjestër e sulmit. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se përplasja ka ardhur pas divorcit të 30-vjeçarit me motrën e autorit të dyshuar, çka mund të ketë çuar në përshkallëzimin e konfliktit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në afërsi të Urës së Milotit. Sipas hetimeve paraprake, Gj. Gj., i cili lëvizte me një automjet tip “Audi”, dyshohet se ndoqi nga pas makinën tip “Audi” që drejtohej nga M. J., 30 vjeç, banues në Rubik. Gjatë lëvizjes, ai dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të automjetit.

Pavarësisht të shtënave, 30-vjeçari nuk mbeti i lënduar. Pas sulmit, autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është kapur.

Policia vijon kontrollet për lokalizimin e tij, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.

Njoftimi i Policisë për ngjarjen:

Rreth orës 18:00, te Ura e Milotit, dyshohet se shtetasi Gj. Gj., i cili lëvizte me një automjet tip “Audi”, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tjetër tip “Audi”, në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi M. J., 30 vjeç, banues në Rubik.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se nuk ka persona të dëmtuar.

Shërbimet e Policisë vijojnë ndjekjen e autorit të dyshuar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.


Video