Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u kthye të premten në një vend kujtese dhe pelegrinazhi, teksa Kardinali Ernest Troshani u rikthye pas dekadash në ambientet ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist.
98-vjeçari vizitoi fillimisht godinën e ish-burgut dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve, duke kujtuar një nga periudhat më të vështira të jetës së tij.
Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe autoriteteve.
Në fjalën e tij, ai bëri thirrje për dashuri, unitet dhe mbrojtjen e së vërtetës.
“Jeni bijtë e të madhit Zot, të duani njëri-tjetrin, atdheun dhe të mbroni të vërtetën. Falënderoj Zotin që na ka bashkuar dhe njerëzit që me admirim më kanë pritur”, u shpreh Kardinali Ernest Troshani.
Gjatë ceremonisë u përcollën edhe mesazhe për ruajtjen e kujtesës historike të Spaçit, i konsideruar simbol i krimeve të diktaturës komuniste dhe i rezistencës së të përndjekurve politikë.
Ipeshkvi Dom Gjergj Meta i bëri thirrje institucioneve shqiptare që kompleksi të mbrohet si pjesë e trashëgimisë historike.
“Ky sit nuk duhet të shkatërrohet. Po u shkatërrua, brezat e rinj do të thonë se nuk ka ndodhur asgjë. Kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe, sepse ajo që harrohet, përsëritet”, deklaroi ai.
Në shenjë mirënjohjeje për jetën dhe dëshminë e tij gjatë persekutimit komunist, Kardinalit Troshani iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit.
Gjatë ceremonisë u lexua edhe një mesazh i Papa Leonit të XIV, i cili e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por njëkohësisht një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë.
Aktiviteti u mbyll me lutje në kujtim të viktimave të diktaturës komuniste dhe me një apel që historia e Spaçit të ruhet dhe të mos harrohet.