
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, të akuzuar për vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit (babë e bir) në vitin 2012.
Për bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhi, GJKKO ka caktuar 15 vite burg, nga 6 vite që kërkoi prokuroria. Gjithashtu GJKKO ka caktuat nga 25 vite burgim për Klajdi Dokoli dhe Etien Çani.
Florenca Çapja vazhdon të jetë ende në kërkim, teksa dyshohet se ndodhet në Dubai.
Gjatë seancës së sotme, Ardian Çapja dorëzoi përmes avokatëve një material me 30 faqe, ku pretendonte se ishte i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij ishin montuar nga Prokuroria e Elbasanit.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?
Ata u vranë në banesën e tyre më 15 gusht 2012, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.
Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku u akuzuan nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.
Për ngjarjen që tronditi opinionin publik, Çapjat nuk e pranuan asnjëherë të jenë ata porositësit. Në këtë çështje, pretendohet se personi që ka marrë pjesë direkt në vrasje, Ervis Bardhi, është penduar për krimin e kryer duke vendosur të bashkëpunojë dhe të flasë, duke treguar gjithçka ka ndodhur ditën e vrasjes.
Akuzat ndaj politikanit "Taulant"
Në nëntor të vitit të kaluar, Ardian Çapja ka dhënë dëshminë e tij në GJKKO ku ka përfshirë edhe një politikan të lartë me emrin “Taulant” duke u shprehur se ky i fundit del edhe në përgjimet e bëra për ngjarjen kriminale të 3 shkurtit në vitin 2016 ku iu vra vëllai Agroni dhe 2 të tjerë, ndërsa 10 të tjerë mbetën të plagosur.
Ai dëshmonte asokohe se përgjimet ku dilte ky politikan u asgjësuan (kjo për shkak të ligjit të aso kohe ku nëse një politikan dilte në përgjigje procesi bllokohej). Çapja vijonte edhe më tej duke thënë se “Taulanti”, mbiemrin të cilit refuzonte ta thoshte me pretendimin se i rrezikohet familja, e ka marrë në telefon ku i ka ofruar ndihmë, por ai e ka refuzuar pasi nuk kishte nevojë.