Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj ka qëndruar plot tre orë në SPAK.
Karçanaj nuk është prononcuar për gazetarët, ndërsa mësohet se ka dhënë shpjegime në kuadër të një hetimi që po zhvillon prokurori i SPAK, Bledar Maksuti, mbi dyshimet për abuzime lidhur me disa procedura tenderimi.

SPAK është duke hetuar për 12 procedura tenderuese, në vlera të konsiderueshme që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme.
Nga hetimet rezulton se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin dhe në këtë mënyrë, ata arrinin të fitonin edhe milionat.

Një prej biznesmenëve nën hetim është dhe Ermal Beqiri, i cili me kompaninë e tij “Soft & Solution”, i cili është pyetur më herët në SPAK.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur dhe marrë në pyetjeve 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Disa kohë më parë një prej ish-zyrtarëve të AKSHI-t Daniel Shima u zhduk mistershëm për të paktën 10 orë dhe familja e tij bëri denoncim në polici.