Rama nesër vulos emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ja kush janë tre emrat që morën pikët maksimale

26 September 2024, 11:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama nesër vulos emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të
Altin Mena, Skënder Hitaj, Neritan Nallbati

Kryepolici i ri i Shqipërisë pritet të zgjidhet këtë javë. Komisioni i Posaçëm ka dorëzuar tre emrat për postin e kryepolicit. WebLajm mëson se ministrit Ervin Hoxha, i kanë vajtur tre emrat për Drejtorin e Përgjithshëm, i cili më pas do t’ia përcjellë me relacion kryeministrin Edi Rama.

Mësohet se Neritan Nallbati, Skënder Hitaj dhe Altin Mena, janë tre kandidatët të cilët kanë arritur të sigurojnë pikët maksimale, nga 100 pika që ka gara.

Gjithashtu mësohet se do të jetë kryeministri Edi Rama i cili ditën e nesërme pritet të hedhë firmën e tij mbi emrin e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit, për të zvendësuar në këtë post Muhamet Rrumbullakun.

-Neritan Nallbati: Mban detyrën e Drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,nga data 01.08.2022.

-Skënder Hita: Aktualisht mban postin e kreut të Policisë së Durrësit.

-Altin Mena: Aktualisht nëndrejtor i Policisë së Lezhës, ish-nëndrejtor për Hetimin e Krimit Rendin dhe Sigurinë në Lezhë më 2023, ish-shef i Policisë Rrugore Lezhë më 2018, shef i Komisariatit Berat më 2022.

Ish-drejtues e drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, iu përgjigjën thirrjes për postin e Drejtorit të Përgjithshëm, pas largimit nga detyra të Muhamet Rrumbullakut. Afati i aplikimeve ka përfunduar dhe interes kanë shprehur 15 persona.

Më herët ministri Ervin Hoxha deklaroi se nga gara për kryepolicin e ri të Shqipërisë u skualifikuan katër kandidatë. Ministri Hoxha nuk dha emra, mirëpo në rrugë jozyrtare u bë me dije se bëhej fjalë për Sami Rashën, Shemsi Prençin, Hajrulla Xhivini dhe Ibrahim Disha.

Kjo është hera e parë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zgjidhet përmes konkurrimit, pas ndryshimeve që u bënë në muajin Korrik në ligjin për policinë. Veç aftësive profesionale, një rëndësi të madhe në këtë garë ka dhe integriteti moral, si dhe aftësitë organizative dhe drejtuese.


Video