Janë zbardhur detaje të reja nga shpërthimi i tritolit i regjistruar mbrëmjen e të enjtes në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, në zonën e Freskut në kryeqytet.
Fasoneria është në pronësi të italianit Roberto Bingaido dhe në momentin e shpërthimit në fasoneri nuk ka patur njeri dhe nga ngjarja ka vetëm dëme materiale.
Burime bëjnë me dije se kamerat e sigurisë në zonë kanë kapur autorin teksa vendos lëndën plasëse në derën e fasonerisë. Ai ka qenë i maskuar me një skafandër dhe lëviz me një biçikletë të bardhë. Pasi vendos eksplozivin, ai largohet me shpejtësi nga vendngjarja.
Mësohet se ka qenë 100 gram lëndë plasëse, duke shkaktuar dëme material në derë dhe në fasadën e jashtme dhe në një mjet të parkuar afër.
Biznesmeni italian Roberto Bingaido prej 8 vitesh operon në fushën e fasonerisë në Shqipëri dhe prej 5 vitesh e ka vendosur biznesin e tij në katin e parë të një pallati në zonën e Freskut.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve që vetë italiani Roberto Bingaido ka pasur më herët me persona të tjerë. Ai njihet për shoqërinë me persona problematikë edhe në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që biznesi i italianit ka qenë objektiv i sulmeve me eksploziv. Më 5 maj të këtij viti, dyshohet se të njëjtët persona, kishin vendosur një sasi eksplozivi në derë të biznesit, por ai nuk u aktivizua. Pronari bëri kallëzim një ditë më pas, por ngjarja mbeti e pazbardhur, ç’ka solli edhe ngjarjen e dytë, e cila po ashtu deri më tani është pa autor.