Autori i dyshuar i vrasjes së ndërtuesit ditën e sotme në Vlorë, është Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Meta.
33-vjeçari Rei Meta qëlloi me grushte ndërtuesin Armando Meshau, i cili ra në tokë dhe humbi jetën. Sherri mes tyre nisi për shitjen e një apartamenti. Sipas dëshmitarëve, dyshohet se 51-vjeçari Meshau i tha Metës se "nuk ke për ta marrë apartamentin", përpara se ky i fundit ta qëllonte dy herë me grusht në fytyrë.
Policia e arrestoi Rei Metën disa orë pas ngjarjes së rëndë në "Lungomaren" e Vlorës.
Nurihan (Seiti) Meta është anëtare e Këshillit të Larte të Prokurorisë që nga krijimi i institucionit në vitin 2018. Ajo është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nga radhët e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Emri i saj u bë i nojhur për publikun gjatë votimit të kreut të ri të SPAK, pasi vota e saj shkoi në favor të kandidatit Edvin Kondili.