Gjykata e Posaçme ka lehtësuar masën për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla.
Molla, i arrestuar në kuadër të hetimeve për dosjen “5-D”, ishte në masën “arrest në burg”, ndërsa tashmë do të qëndrojë në “arrest në shtëpi”.
Vendimi është marrë për shkaqe shëndetësore, pasi Molla vuan nga probleme me zemrën. Sipas avokatëve Molla ndodhet prej muajit korrik nën trajtim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore me zemrën.
Molla dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës kishin ndërtuar një skemë korruptive ku përfitonin tendera me kompanitë që hapnin përmes të afërmve të tyre.
Njoftimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtareIliriana Olldashi, sot më 10.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 01.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim R.M.,me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësim mase sigurimi”dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 531, datë 31.07.2025të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, si më poshtë:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit R.M., me vendimin nr. 28, datë 28.03.2024të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar të pandehurin R.M., të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: ***.
Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të pandehurit R.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimittë Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin në bashkëpunim me policinë gjyqësore, të zbatimit të urdhërimit të dhënë të pandehurit, nga kjo gjykatë.
U shpall sot në Tiranë, më datë 10.10.2025.