Është mbajtur në Kryeministri ceremonia e shpalljes së Anri Kashikut "Dëshmor i Atdheut", pasi humbi jetën në plazhin e Durrësit në përpjekje për të shpëtuar vëllain e tij dhe shokun e vëllait.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se Anri nuk u bë hero vetëm i vëllait, por i të gjithë shqipatërve. Rama u shpreh i prekur kur tha se Anri dëshironte të bëhej një futbollist i njohur, por u gjend shumë shpejt në një fushë mes jetës dhe vdekjes.
"Nuk ishte vetëm familja, të afërmit, miqtë shokët, komuniteti i zonës, ishte e gjithë Shqipëria që u prek me zemër dhe që me mendje qëndroi për një moment tek ky i ri që sikundër më tregoi babi kishte pasion futbollin. Donte të bëhej një futbollist i mirë dhe që nuk ia doli dot sepse rrethanat, fati e vendosën në sprovën e një fushe ku luhet një ndeshje mes jetës dhe vdekjes. Ai u bë heroi i të vëllait, por edhe heroi i të gjithë shqiptarëve. Përfitimi i këtij statusi të dëshmorit nuk e shuan pikëllimin e thellë të familjarëve, dhimbjen, por mbase lehtëson sado pak një plagë që fatkeqësisht do qëndrojë aty në zemrën e babit familjarëve vëllait dhe të afërmve. Nga ana tjetër është një detyrim i yni që të nderojmë çdo shqiptar, në radhë të parë këta lloj shqiptarësh, njerëz të zakonshëm, babi i Anrit është një burrë punëtor në emigracion. Më tregoi se prinin të takoheshin, i kishte dhënë fjalën që do takoheshin, por këta e solli që të mos e takonte dot djalin por të kthehej në Shqipëri për ti dhënë lamtumirën e fundit. Qeveria është zotuar që ti mbrojë fëmijët e të rënave kudo në Shqipëri, por në këtë rast Anri vetë ishte një fëmijë dhe asht si të tjerë heronjtë të këtyre ditëve edhe ai u bë një simbol i një vetëmohimi ekstrem për të përmbushur një mision që disave si mjekëve që humbën jetën gjatë pandemisë, ua sjell rruga, disa të tjerëve ua sjell thjesht një moment i gabuar që askush nuk e ka në dorë por që në atë moment të gabuar bëjmë heroikisht gjënë e duhur", tha Rama.
I pranishëm në ceremoninë e dhënies së statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ Anri Kashikut, me dhimbjen e madhe për humbjen e djalit, i ati u sheh se ky status bëri që Anri mos të harrohet në të gjithë kombin shqiptar.
"Kjo që më ndodhi mua shpresoj të mos i ndodh askujt, është një humbje. Nuk kam fjalë. Të falënderoj, për këtë që bëri qeveria, bëri që Anri mos të harrohet në të gjithë familjen shqiptare dhe kombin shqiptar", tha ai.