SPAK ngriti sot akuza ndaj tetë personave të dyshuar si një grup kriminal që paracaktonte fituesit e tenderave tek AKSHI, pjesë e të cilit ishin drejtuesja e institucionit dhe disa biznesmenë. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme miratoi masën e “arrestit në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI-t, Arlinda Karçanaj dhe masat “arrest në burg” për biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. SPAK evidentoi si pjesë të grupit kriminal edhe Erion Ismailin, zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, për të cilin u caktua masa e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Sakaq, gazetarja Anila Hoxha solli sonte në emisionin “Top Story” disa detaje të reja lidhur me këtë çështje.
Gazetarja zbuloi se dosjen për AKSHI-n e kishte prokurori i SPAK Elvin Gokaj, por ky i fundit dha dorëheqjen në mënyrë të beftë dhe dosjen më pas e mori prokurori Bledar Maksuti, ndërsa theksoi se veprat penale janë të rënda.
"Më shumë se kurrë duhet bërë transparencë për dosjen e AKSHI-t. Ne kemi patur dy prokurorë të çështjes, nga njëra anë ka qenë Elvin Gokaj. Veprat penale janë të forta. Deri në verë e ka pasur Elvin Gokaj, dhe e ndërpret befas hetimin nga burimet e mia. Dhe dosja i është kaluar Bledar Maksutit. Nuk ka transparencë për këtë gjë”, tha gazetarja Hoxha në Top Story.
Ndërkohë, sipas SPAK, të dyshuarit, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme duke përcaktuar kritere specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave. Hetimi ka zbuluar se biznesmenët Agasi e Beqiri dhe funksionari i policisë Ismaili kanë përdorur edhe pengmarrjet dhe dhunën për të shmangur kompanitë garuese, që mund t’ju bëheshin pengesë në procedurat tenderuese.
SPAK njoftoi se të dyshuarit kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Agjentët e BKH ushtruan kontrolle sot në banesat e të dyshuarve te “Kodra e Diellit” dhe në ambiente të tjera tregtare, ku sekuestruan dokumentacion dhe pajisje elektronike.