Është zbardhur letra që Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së Belinda Ballukut, deputete, ministre dhe zv/kryeministre njëkohësisht.
Shkresa që i është dërguar kryetarit të parlamentit, Niko Peleshi, dhe deputetëve të Kuvendit, mban firmën e drejtuesit në detyrë të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Ky i fundit, më datë 19 dhjetor, pikërisht në ditën që do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën, do t’i dorëzojë mandatin e drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Brahos, i cili u zgjodh më 11 dhjetor si kreu i ri i saj.
Çfarë thuhet në shkresën drejtuar Kuvendit?

Në të, Dumani, kërkon autorizimin për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes/ministres/zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në atë të arrest në burg/në shtëpi.
Po ashtu, Dumani kërkon që të ruhet sekreti hetimor dhe të ndalohet publikimi i akteve.
Në letrën e firmosur nga Dumani citohen nenet 73, 95 dhe 103 i Kushtetutës si dhe nenet 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet më 19 dhjetor për të shqyrtuar kërkesën. Pasi njoftohet zyrtarisht edhe Belinda Balluku, ajo ka të drejtë të japë shpjegime, të përfaqësohet nga avokati dhe të ushtrojë të plotë të drejtën e mbrojtjes.
Këshilli shqyrton kërkesën dhe brenda 2 javësh harton raportin, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e saj. Raporti u shpërndahet deputetëve. Më pas, kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare.
Fjalën, po sipas Rregullores së Kuvendit, e merr deputetja për të cilën është bërë kërkesa, pa u hapur diskutimi mbi raportin. Vendimi merret me votim të hapur.
Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda 3 muajve, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion konsiderohet e rrëzuar.