Shtëpitë në Gojan të Pukës nuk janë më të sigurta.
Zjarret dogjën disa prej shtëpive, fatmirësisht pa persona të lënduar. Me afrimin e flakëve u dha urdhër për evakuim, por banorët qëndruan deri në minutat e fundit, duke marrë me vete vetëm disa sende dhe më pas u larguan me vrap për të shpëtuar jetën.
Policia ndërhyri për të shpëtuar banorët.
“Lëvizni të gjithë, jashtë, jashtë!”, janë thirrjet e policisë.
“Po merr flakë shtëpia. Unë po zbres poshtë, por nuk mund të iki pa u siguruar për shtëpinë. Po zbres deri në qendër, por do të vij sërish këtu”, tha një banor.
Për ta, strehimi i përkohshëm do të jetë konvikti i qytetit të Pukës, ku do t’u ofrohen ushqim dhe shërbim shëndetësor, sipas autoriteteve.
Ndërkohë, vijon puna për shuarjen e flakëve në Gojan. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë të zjarrfikëses dhe të ushtrisë, ndërsa nga ajri helikopterët po hedhin ujë në zonat që janë të vështira për t’u arritur.
Deri më tani, shkaqet e zjarreve nuk janë të qarta, por kryetari i Bashkisë së Pukës nuk e përjashton mundësinë që ato të jenë të qëllimshme.