Forca të shumta të policisë kanë rrethuar pasditen e kësaj të hëne banesën e Gëzim Çelës, ish-punonjësi i policisë i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Europë.
Mësohet se forcat e policisë kanë rrethuar banesën dhe lokalin e Çelës në Fushë-Kuqe, ndërsa operacioni po kryhet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK.
Raportohet se është kryer edhe arrestimi i një punonjësi të policisë, shef komisariati, ndërsa aksione paralele po zhvillohen edhe në Tiranë, Durrës, Vlorë, Kurbin.
SPAK ka lëshuar urdhëarreste për Çelën dhe disa punonjës së Policisë së Shtetit, të dyshuar si të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Kujtojmë se drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka njoftuar një konferencë për mediat në orën 18:30. Mbetet e paqartë nëse është arritur të arrestohet Gëzim Çela.
Gëzim Çela është dënuar me 20 vite burg për veprat penale “Trafikimit i lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”, si dhe për shfrytëzim prostitucioni. Ai ka qenë më herët subjekt i “Operacionit Forca e Ligjit”-së teksa ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë gjatë kësaj periudhe.
Aktiviteti i Çelës ka nisur pak më herët se në vitin 2014 kur në bashkëpunim me persona nga Kosova kanë krijuar një rrjet të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Kosovës dhe Shqipërisë për ta shpërndarë më pas në të gjithë Europën dhe më tej.
Çela gjithashtu akuzohet se ka organizuar trafikun e heroinës nga Turqia drejt Shqipërisë.
Në vitin 2014 policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë goditën këtë grup kriminal duke sekuestruar sasi të mëdha kokaine, kanabis dhe armë zjarri. Në atë kohë u arrestua bashkëpunëtori i Çelës, Erald Hysolli, të cilit iu gjetën edhe 7 kilogram kokainë.
Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Por kur policia rrethoi shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.