"Agai i ri që do ndërtojë panele fotovoltaik"/ Braçe publikon pamjet dhe denoncon grabitjen e tokave në Lushnjë: Policia po shpërdoron detyrën!

8 Shkurt 2026, 13:17Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Deputeti Erion Brace/ Biznesmeni Elton Cekrezi

Në fshatin Imshtë të njësisë Bubullimë në Lushnje, sipas Erjon Braçes, po ndodh një grabitje e tokës publike për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Duke ndarë pamje nga protesta e banorëve dhe përballja e tyre me policinë, Braçe akuzon këtë të fundit se “po vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës”.

Në videon e publikuar prej tij, shihet një person që u thotë bujqve “boll bërtitët”, për të cilin deputeti thotë se është “agai i ri” që synon të ndërtojë panele fotovoltaike në këtë zonë.

Sipas Braçes, toka në fjalë shtrihet nga buza e lumit Seman deri te argjinatura dhe ligji “Për burimet ujore” e përcakton qartë si tokë lumi, pra tokë publike, të patjetërsueshme dhe të paparashkrueshme.

Ai thotë se prej një viti e gjysmë e ka kallëzuar çështjen në Prokurori dhe se javën e kaluar ka konfirmuar në Prokurorinë e Fierit që ajo është ende nën hetim dhe në fazën e dytë të veprimeve hetimore.

Braçe ngre pikëpyetje për praninë e Policisë së Lushnjës në terren, ndërsa çështja është nën hetim, dhe akuzon institucionet për shkelje të hapur të ligjit. Sipas tij, dy javë më parë i njëjti person ka qenë në zonë pa polici, por i shoqëruar nga persona të cilët i quan ‘kriminelë’ që kanë kërcënuar banorët dhe fëmijët e tyre.

Deputeti kujton se një tentativë e ngjashme për përvetësimin e kësaj toke ka ndodhur edhe më herët, me mbështetje politike, por është ndalur pasi çështja ka kaluar për hetim.

Në postimin e tij, Braçe thekson se, sipas ligjit, toka është pronë e shtetit dhe çdo veprim për ta përvetësuar përbën grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë.

Kujtojmë se, Elton Çekrezi, pronar i EuroElektra ka blerë tokën shtetore dhe do të ndërtojë aty panele fotovoltaike. 

Çekrezi ka krijuar kompaninë "SunXpower" me të cilën ka fituar leje për të ndërtuar panele fotooltaik në Imshtë të Lushnjes.

Postimi i plotë i Erion Braçes në Facebook 

"Lushnjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji?  

Ligji “Për burimet ujore” përcakton qartë se kjo tokë është “tokë e lumit” pra tokë publike e pa tjetërsueshme dhe paparashkrueshme!  Një rrjesht i gjatë institucionesh publike janë përfshirë në grabitjen e kësaj toke dhe kanë shkelur kriminalisht ligjin.  Një vit e gjysmë më parë, si deputet i këtyre njerëzve, kam kallëzuar në prokurori gjithkënd; javën që shkoi konfirmova në Prokurorine e Fierit se çështja është nën hetim dhe janë në valën e dytë të kryerjes së veprimeve hetimore.  Pyetja që kam tani është e qartë: kur çështja është nën hetim në Prokurorinë e Fierit, ç’punë ka Policia e Lushnjës në krah të një personi që kërkon të përfundoje grabitjen e tokës nga një farë bilbili?

Dy javë të shkuara, ky tip ishte në Imshtë pa policinë, por me kriminelë që bënin çmos tu dukeshin armët; kanë kërcënuar banorët dhe ju kanë përmendur jetën e fëmijëve. A ka turp më të madh se Policia e Shtetit sot në mbrojtje të një grabitjeje ditën për diell kur ligji është shumë i qartë?! Është e përsëritur kjo!

Një vit e gjysmë më parë, me mbështetje të një politikani, i njëjti tip kishte përsëri policinë me vete deri ditën që politikani ra nga karrigia!

Nga ajo ditë, kjo përpjekje u shua dhe prokuroria po heton. Nuk di cili është politkani që po i del për zot këtë herë, por dua të theksoj me forcë: sipas ligjit, kjo është tokë e shtetit, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme; Gjithccka që po ndodh është grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë!"


Video