Afera e mbetjeve toksike, Berisha: Dogana falsifikoi kodet e ngarkesës

22 August 2024, 21:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Afera e mbetjeve toksike, Berisha: Dogana falsifikoi kodet e ngarkesës
Sali Berisha

Kreu i PD-së Sali Berisha ka bërë të tjera akuza për aferën e mbetjeve toksike që dolën nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën. Sipas Berishës ajo që ka ndodhur me këto mbetje dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale për çdo qytetar shqiptar në këtë vend. Berisha tha se autoritetet doganore kanë falsifikuar kodet e ngarkesës duke hequr ato të mbetjeve toksike.

“Pas dy javës zhurme kombëtare dhe botërore, për mijëra ton mbetje toksike që u nisën nga Durrësi për në Tajlandë, rezulton se Edi Rama me heshtjen e tij ka faktuar të gjitha akuzat që janë bërë këtu, në media shqiptare dhe ndërkombëtare, se prapa aferës qëndron qeveria shqiptare, qëndron Edi Rama. A ka akt falsifikimi më të madh, a ka akt kërcënimi më të madh për qytetarët shqiptarë, rrezikimin më të madh të jetës dhe shtetit të tyre, se sa institucionet zyrtare të ndryshojnë kode dhe të vendosin kodet e lëndëve jo toksike në ngarkesat e lëndëve toksike.

Kjo do të thotë të vendosësh etiketën e sheqerit, të orizit, aty ku është helmi, ku janë toksinat dhe krim më makabër se ky nuk mund të bëhet. Kjo praktikë e padëgjuar ndonjëherë, kjo praktikë u zbatua në rastin e kontenierëve të cilëve ju ndryshua kodi. Nga lëndë toksike që përmbanin, në lëndë jo toksike dhe këtë e bëri institucioni shtetëror doganë. Me këtë praktikë, me këtë falsifikim të tmerrshëm në Shqipëri, për të mbushur xhepat Edi Rama dhe suita e tij, mund të futet çdo lloj helmi, çdo lloj plehu, çdo lloj toksine”, tha Berisha.

Sipas tij ndryshimin e kodeve e ka bërë Dogana.

“Do ta akuzoja me forcën më të madhe ish-ministrin që e shkarkuan, por nuk e bëj se Gazheli atë e kishte vartës, nuk e pyeste se është i gjallë. Gazheli pyet vetëm një njeri në Shqipëri, ai pyet Edi Ramën. Aktin nuk mund ta bënte kurrë me porosi të njeriu tjetër, përveç Edi Ramës”, akuzoi Berisha.

“Kjo aferë kriminale, e pashembullt, dëshmon se në Shqipëri mund të futen qindra e mijëra tonelata nga armë dhe substanca kimike në zbërthim të diktatorëve në paraskadim, gjer tek helme të industrive petrokimike për t’u likujduar. Ndërrimi i kodeve është krimi më i shëmtuar, kërcënimi më i madh. Loja me kodet është lojë me jetën e shqiptarëve, lojë me shëndetin e shqiptarëve. Kjo është lojë e Edi Ramës dhe askujt tjetër, tha Berisha që akuzoi edhe njëherë shefin e SPAK-ut.

“Ndonëse transporti i paautorizuar i helmeve dhe lëndëve të rrezikshme përbën kërcënim madhor për njerëzit dhe mjedisin. Ndonëse në këtë aferë janë përgjegjës direkt Ministria e Financave, e Mjedisit, me ligj Ministria e Infrastrukturës, lubi Balluku, ministri aktual i Mbrojtjes, dezertori i shërbimi ushtarak, Pirro Vengu.

Megjithatë Skrapi i partisë hesht në mënyrë më kriminale, më të paturpshme. Hesht për tu dëshmuar shqiptarëve se nuk është gjë tjetër veç se një vegël e verbër në duart e kësaj bande kriminale. Hesht para një afere e cila nuk mund të kurrë të realizohet pa një grup të strukturuar, apo organizatë të strukturuar kriminale të jo më pak se katër apo pesë institucioneve”, tha Berisha.


Video