
Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për dosjen e shumëpërfolur të tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit dhe ka urdhëruar rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese.
Vendimi prek ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, si dhe Flutura Çekrezin, Anisa Bogdanin, Ani Omurin, Aurora Mullën, Kleivis Hasanin, Kreshnik Bejkajn, Gëzim Mingajn, Fatmir Demnerin dhe Mariglen Buzalin, të cilët ishin shpallur fajtorë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Bëhet fjalë për tenderin me fond limit 2.8 miliardë lekë, ose rreth 25 milionë euro, për blerjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit, një procedurë që u hetua nga SPAK pas kallëzimit të bërë në vitin 2021 nga ish-deputetët e opozitës parlamentare Halit Valteri dhe Myslim Murrizi.
SPAK akuzoi zyrtarët se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me ish-drejtoreshën Edlira Naqellari, kishin shkelur rregullat e prokurimit publik dhe barazinë në tendera, duke favorizuar fituesin dhe duke shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.
Në fund të vitit 2021, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i dënoi të pandehurit me nga një vit burg, dënim që u ul për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për një pjesë të tyre, dënimet u konvertuan në shërbim prove. Më pas, edhe Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e fajësisë.
Megjithëse të gjithë të dënuarit kanë përfunduar shlyerjen e dënimeve, ata vijojnë të jenë të përjashtuar nga ushtrimi i funksioneve publike për pesë vite.