Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga policia e Tepelenës pasditen e sotme.
Një 17-vjeçar është konfliktuar me tre bashkëmoshatarët e tij në një kalçeto dhe më pas është larguar dhe është rikthyer sërish me një armë zjarri automatik për t'i vrarë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 Shtatori”.
Bëhet fjalë për adoleshentin me iniciale R. H., i cili është vënë në pranga teksa në banesën e tij, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
"Ky shtetas, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me tre bashkëmoshatarë, është larguar, ka marrë një armë zjarri dhe më pas është rikthyer në vendin e konfliktit. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve policore është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, shtetasi R. H., i cili në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit R. H., u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa." thuhet në njoftimin e Policisë.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë janë shoqëruar edhe tre adoleshentët e tjerë të përfshirë në konflikt.
Policia njofton se po punohet për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.