
Pas breshërëve të fundit që dëmtuan rëndë të korrat e shumë fermerëve vendas, një fluks perimesh shqiptare dhe greke ka hyrë në tregun bullgar, sipas Shoqatës Bullgare të Prodhuesve të Serave.
Shoqata bullgare raporton se prodhimet e importuara po përzihen me mallra të rritura në vend dhe shiten si produkte vendase në tezgat e tregut. Sipas Nova TV, shoqata ka shprehur gatishmërinë për të organizuar protesta nëse mbikëqyrja e tregut nuk forcohet.
Marin Genurov, kryetar i shoqatës, theksoi një trend në rritje të importimit të prodhimeve me kosto më të ulët, veçanërisht domateve dhe kastravecave të rritura në sera. Ai vuri në dukje se ka informacione që sugjerojnë se perimet po rieksportohen nga Shqipëria përmes Greqisë dhe shiten në Bullgari me çmime të ulura. "Domatet po mbërrijnë me çmime deri në 1.50 leva (77 lekë) për kilogram, dhe kastravecat midis 0.80 dhe 1.20 leva (40-60 lekë)," deklaroi Genurov. "Në të kundërt, prodhime të ngjashme të rritura në Bullgari kushtojnë të paktën 1 leva më shumë."
Ivan Kaburov, nënkryetar i shoqatës, shtoi se perimet e importuara shpesh janë me cilësi më të ulët dhe më pak tërheqëse nga ana vizuale, me avantazhin e tyre kryesor konkurrues që është çmimi i tyre më i ulët. Ai shpjegoi se kostoja e prodhimit për perimet bullgare të serrave është afërsisht 1.23 euro për kilogram. Në krahasim, ato aktualisht shiten për rreth 0.72 euro, duke rezultuar në humbje financiare për prodhuesit vendas. Ai i bëri thirrje Agjencisë Bullgare të Ushqimit dhe Bujqësisë të marrë një rol më aktiv në rregullimin e importeve, tregjeve dhe panaireve për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe për të mbrojtur prodhimin vendas.