Avokati Gentian Seriani ka folur mbi martesat fiktive, që janë gjetur si “shpëtim” nga burra shqiptarë me precedentë penal.
Avokati tha se gra të shtresave vunerabël pranojnë t’u japin mbiemrat e tyre këtyre personave kundrejt pagesave nga 50 në 100 mijë lekë të reja.
Ai vuri në dukje se pasojat për këto gra janë të mëdha, ku shpesh ka raste që si baba i fëmijës së tyre njihet ligjërisht personi që pas martesës fiktive është larguar drejt një vendi të BE. Seriani sugjeroi filtra, të tilla si kontrolle në sistemin TIMS në rastet kur burrat kërkojnë të marrin mbiemrin e grave me të cilat martohen.
"Problemi është në rritje për dy arsye: Së pari numri i personave që shkelin afatin 3 mujor në vendet e BE dhe marrin ekspuls, është në rritje. Së dyti, dëshira e madhe për t’u rikthyer në shtetet e BE. E vetmja mënyrë është të gjejnë këto artifica. Kanë gjetur si zgjidhje martesat fiktive, që për gratë kthehet në problem madhor. Duhet të ketë një ndryshim të politikave që të ndalojnë lidhjen e këtyre martesave dhe problematikave që këtyre grave vunerabël u sjellin në vazhdim. Në disa raste e kanë njohur përmes pagesës. Është një njohje që krijohet përmes një personi të tretë. Ajo që nuk mendohet mirë nga këto gra është pasoja që mund të lind pas kësaj martese. Shkojnë deri në 50 mijë lekë të reja ose 100 mijë lekë të reja. Nuk është as pagesë në dorë, por shlyerje borxhesh te supermarketi i lagjes. Disa prej tyre janë gra kryefamiljare, ose gra të dhunuara.
Ka raste që ka bërë martesë me një person dhe nuk jeton me të, por me një tjetër, dhe ka një fëmijë që i njihet atij. Ligji e njeh si baba personin që gjendet në vendet e BE. Që të ndodhi njohja e babait biologjik duhet të bëhet testi i ADN-së, që ka vlerë shumë më e madhe se ajo ka përfituar. Duhet të kemi ndryshime të VKM-së dhe ligjit. Në traditë ne nuk e kemi që bashkëshortja të marrë mbiemrin e burrit.
Një nga filtrat që mund të jetë është të ketë një kontroll në sistemin TIMS, ose edhe për ekspulset. Një filtër i mirë do ishte që para se të ndodhnin martesat të kishte një kontroll nga gjendja civile, Policia e Shtetit, për të parandaluar situata të tilla. Nëse do ketë analizë të mirë do kuptonim sa është numri i martesave të reja ku bashkëshorti ka marrë mbiemrin e bashkëshortes. Një institucion tjetër ku mund të marrim të dhëna janë gjykatat. Trendi i martesave në zgjidhje është në rritje, por një numër janë edhe këto martesa.” - tha ai për MCN.