Seanca gjyqësore e dosjes “Plumbi i Artë” po zhvillohet sot në Gjykatëne Posaçme, ku i pandehuri Xhuljano Hoxha ka hedhur akuza të forta ndaj Erjon Alibej.
Para togave të zeza, Hoxha ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e Bujar Çelës. Gjatë dëshmisë sëtij, ai tha se Alibej ka urdhëruar Nuredin Dumanin për vrasjen e Oti Kilës.
Më tej Xhuljano Hoxha dëshmon, se Erjon Alibej ka paguar 3 milionë euro për të marrë statusin bashkëpunëtor i drejtësisë.
Sipas Hoxhës, Gentian Sharra në dëshminë e tij thotë se kurrë nuk ka bërë vjedhje pasi është person me më shumë se 10 biznese dhe është i rregullt me të gjitha taksat.
“Jam në dijeni që Alibej ka urdhëruar Dumanin për të vrarë Oti Kilën dhe ka qenë biseda kur kemi qenë në garazh. Në deklarimet e Erjon Alibej dhe provat e SPAK nuk ka asnjë provë as bisedë që kam marr pjesë te vrasja e Bujar Çelës. Dua të deklaroj se Erjon Alibej më ka thënë që kam paguar 3 milionë euro që të marr statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë që t’ja hiqnin statusin Henrik Hoxhajt. Alibej më ka thënë që inshalla nuk del në Skyy”, tha ai.
Të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Prokuroria e Posaçme po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Nuredin Dumani është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i SPAK, duke zbardhur të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.