16 vjet pa Tanin! Por, ëndrrat e tij vazhdojnë të realizohen në Top Media

23 May 2024, 13:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
16 vjet pa Tanin! Por, ëndrrat e tij vazhdojnë të realizohen
Dritan Hoxha

Top Media përkujton sot themeluesin dhe ëndërrimtarin që bëri realitet një perandori mediatike e cila ende sot vazhdon të realizojë vizionin e Dritan Hoxhës. Çdo 23 maj nuk kujtojmë humbjen por jetën e “Tanit të Topit”, që e nisi rrugëtimin mediatik me krijimin e Top Albania Radios në vitin 1998.

Më pas revolucioni erdhi me lindjen e Top Channel, platforma e të gjithë shqiptarëve që bashkon e sot e kësaj dite shqipfolësit kudo që janë. Digitalb dhe Gazeta Shqip dhe Top News do të zgjeronin perandorinë mediatike të Top Medias.

Thonë se ëndrrat shpesh janë të parealizueshme, por për Dritan Hoxhën nuk pati të tilla. Ai kërkoi ato më të mëdhatë, më të jashtëzakonshmet, në dukje më të largëtat, që nuk kishin lidhje vetëm me jetën, pasionin apo dëshirat e tij, por me ato të të gjithë shqiptarëve. Dritani nuk ndalej sepse për të bota shqiptare kishte një rëndësi të veçantë, një rëndësi që e mori hap pas hapi Top Channel, ekrani i të gjithë shqiptarëve.

Top Media vrapoi me Dritanin, me botën dhe pasionin e tij, me dëshirën për t’u rritur e për të ecur së bashku pa u ndalur. Dritan Hoxha ishte i tillë, i pandalshëm, e me një vizion që pakkush e kishte, që e pasqyroi tërësisht në çdo gjurmë të tijën.

Top Media vijon të ndjekë ëndrrën e tij, ëndrrën e një gjiganti, e një njeriu që tregoi se gjithçka është e mundur nëse e do vërtet me zemër.

Ndaj, edhe sot në 16 vjetorin e humbjes së tij, vazhdon të vrapojë, të rritet, të sfidojë e kërkojë më të mirën, sepse ashtu siç lindi dikur me pasionin, talentin e cilësinë e një njeriu , ashtu qëndron edhe sot në shtëpinë e çdo shqiptari. Dritani, apo Tani si e thërrisnin të gjithë është këtu, në frymën e papërsëritshme të një njeriu që sfidoi ëndrrat.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video