Pamjet e Erion Veliajt duke dalë nga zyra e tij, i shoqëruar nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, brenda pak minutash pushtuan ekranet dhe hapësirën online.
Për një pjesë të publikut, ishte imazhi i një kryebashkiaku që po përballej me drejtësinë; për të tjerë, ishte kthesa më e fortë në historinë e një politikani që për më shumë se dy dekada kaloi nga protestat e rrugës, në parlament, qeveri dhe drejtimin e kryeqytetit.
Një histori që dikush ka dashur t’i veshë ato imazhe, duke u siguruar për prezencën e një kamere në dukje rastësore... Pamje të cilat kërkonin të paketonin shumë më tepër se imazhin e një politikani të rëndësishëm...
“Me futjen e tij në Partinë Socialiste ai absolutisht u bë nr 2 edhe konkretisht në PS, pas Edi Ramës, gjë që pastaj u konkretizua me vajtjen e tij si kryetar bashkie. Në të gjitha sondazhet që kam kryer gjatë kohës, para se të bëheshin zgjedhjet për Bashkinë, dhe gjatë kohës që ai administronte Bashkinë koutat e Veliajt gjithmonë kanë qenë të larta brenda Tiranës, dhe vetëm Edi Rama ja kalonte”, u shpreh analisti Eduart Zaloshnja
“Ishte një student i sapo mbaruar në atë periudhë, flasim diku nga viti 2002-2003, kjo ka qenë le të themi starti i jetës publike të Erion Velisë në Shqipëri. Natyrisht që ai ishte një personazh interesant, ishte nga ato personazhe që në atë hapësirë të jetës publike dhe politike që kishte shqipëria në atë kohë”, u shpreh analisti, Alban Dudushi
Në vitin 2003, Erion Veliaj u shfaq në skenën publike përmes lëvizjes “MJAFT!”, një organizatë që u kthye në simbol të aktivizmit qytetar.
Lëvizja organizoi protesta dhe fushata ndaj problemeve sociale e politike, me një gjuhë shumë më të drejtpërdrejtë se ajo e partive tradicionale.
Në atë periudhë, Veliaj nuk ishte politikan, dhe pikërisht kjo ishte pjesë e forcës së tij publike. Ai kritikonte qeverinë dhe partitë, organizonte të rinjtë dhe ndërtonte profilin e një aktivisti të shoqërisë civile, përballë një sistemi politik që e konsideronte përgjegjës për problemet e vendit.
Por çdo lëvizje që kërkon të ndryshojë politikën përballet me të njëjtën pyetje: a mjafton presioni nga jashtë, apo duhet hyrë brenda sistemit për ta ndryshuar atë?
Në fund të viteve 2000, Veliaj zgjodhi përgjigjen e dytë. Nga drejtimi i “MJAFT” kaloi te krijimi i “G99”, një forcë e qendrës së majtë që synonte të përfaqësonte një brez të ri. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Veliaj u shfaq si kandidat që kërkonte të merrte pjesë në vendimmarrje.
Rezultati nuk e çoi Veliajn në parlament, por nuk i dha fund rrugës së tij politike. Ajo betejë pasoi afrimin e tij të butë në Partinë Socialiste, ku shumë prej krerëve të saj e shihnin me skepticizëm. Këto dyshime lidheshin me betejat që dikur Veliaj kishte bërë për rrëzimin e Fatos Nanos nga pushteti.
“Ishte një moment që unë besoj se erdhi natyrshëm, duke pasur parasysh edhe partneritetin që ai ka pasur edhe në periudhën e aktivizmit të tij me MJAFTIN me kryetarin e bashkisë së asaj kohe, një tjetër personazh i cili gjithashtu ka qenë një njeri me meinstikte politike dhe mediatike siç është Edi Rama”, u shpreh Alban Dudushi, analist.
“Gjatë atyre viteve kur Veliaj ishte kryetar i lëvizjes mjaft dhe që atëherë Veliaj, koutat e tij ishin të krahasueshme me të Ramës, Nanos Berishës”, u shpreh Eduart Zaloshnja, analist.
Në vitin 2011, ErionVeliaj iu bashkua strukturave drejtuese të Partisë Socialiste si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin.
Për Partinë Socialiste, afrimi me Veliajn sillte një figurë me profil të fortë publik dhe lidhje me shoqërinë civile. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Veliaj u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastrës.
Pas ardhjes së socialistëve në pushtet mori një nga postet më të rëndësishme të karrierës: Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Një ministri që u reformua me një buxhet dhe kompetenca të shumëfishuara, aq sa u lexua si lëvizje për fuqizimin e Veliajt.
Në këtë periudhë u bë e dukshme edhe një tjetër karakteristikë e tij: aftësia për të ndërtuar një profil politik përtej postit që mbante.
“Po të shikojmë ambicien e zotit Veliaj e shfaqur edhe në media, por edhe në PR e tij, që u bë gati qesharak dhe i bezdisshëm për qytetarët për shkak të intensitetit, kanë qenë të gjitha me qëllim për të nesërmen. Dhe kjo ambicie e tij për të nesërmen e tij në Partinë Socialiste, kjo ambicie, ra ndesh me interesin e kreut aktual, kryeministrit Edi Rama”, u shpreh Arion Sulo, analist.
A ishin klanet e PS që financuan protestat kundër Veliajt? Përplasja me Ballukun dhe pse heshti opozita për ish-zëvendëskryeministren...
Bashkia e Tiranës u kthye në një prej pikave kryesore të përplasjes së opozitës me mazhorancën, ndërsa vetë kryebashkiaku u shndërrua në objektiv të protestave.
Por protestat kundër Veliajt nuk ishin vetëm një përballje mes opozitës dhe kryebashkiakut. Dukshëm, prezenca e tij në aktivitete si figurë qendrore e mazhorancës ishte zbehur. Madje, shpesh duke i zhdukur fotot nga aktivitetet.
Nën zë, dukej se po avanconte historia e një beteje që, sipas pretendimeve të bëra publikisht, mund të kishte edhe gjurmë brenda vetë mazhorancës.
“Unë mendoj se klanet në PS, rivaliteti mes Erjon Veliajt dhe Belinda Ballukut, fuqia dhe ambicia e tij për tu bërë nesër kreu i PS, pasardhësi i Ramës ka bërë që çështja e tij penale të ndikohet politikisht. Pra, e ka lëshuar le të themi Rama, nuk ka bërë ato përpjekjet politike, që jemi mësuar të shohim, si në rastin e Ilir Beqjat, në rastin e Olta Xhaçkës, në rastin e Frida Krifcës, janë të tre që janë mbrojtur nga kryeministri me fuqinë e tij politike me ndikimin e tij tek organet e drejtësisë apo me mënyra të tjera”, u shpreh Arion Sulo, analist.
Emri i Belind Këlliçit u bë i pandashëm nga protestat përpara Bashkisë. Por, më pas, në hapësirën publike dolën edhe pretendime për financime dhe kontakte që lidhnin organizimin e protestave me njerëz dhe interesa të tjerë politikë. Pretendime të cilat u lidhën edhe me copëza përgjimesh nga dosja ‘Balluku” ku insinuohej për financime protestash. Këto, u mohuan publikisht nga Këlliçi. Megjithatë, ai nuk iu përgjigj interesit tonë për një intervistë ku veç këtyre akuzave, do e pyesnim edhe për dy standartet e aktivizmit të opozitës që kërcasin fort... Për Veliajn lum protestash, për Belinda Ballukun thuajse heshtje...
Në shahun politik, luhej edhe e ardhmja e pushtetit brenda Partisë Socialiste. Veliaj kontrollonte politikisht një prej territoreve më të rëndësishme elektorale të vendit, ndërsa Belinda Balluku kishte ndërtuar një tjetër qendër të fortë influence brenda mazhorancës.
“Lufta në pushtet është gjithmonë për fuqi politike, është për të nesërmen, është për territor... në kuptimin e sa më shumë influence, sa më shumë vendimarrje, dhe Veliaj si një pol i rëndësishëm në pushtetin e PS, duke pasur në administrim qytetin me mbi një milion banorë, nga ana tjetër zonja Balluku, duke qenë ish zv Kryeministre dhe në ministrinë më me fonde, dhe ajo nga ana tjetër me fuqi financiare shumë të madhe, dhe politike shumë të madhe, drejtuesja e disa qarqeve shumë të rëndësishme, kanë pasur dhe kanë rivalitetin për të nesërmen e PS, sot për të qenë sa më afër Kryeministrit, dhe nesër për të qenë në krye të Partisë Socialiste”, shprehet Arion Sulo, analist.
Brenda kampit rozë, askush nuk ka pranuar të flasë për këtë betejë në heshtje. Kjo shpjegon edhe faktin pse dhjetëra eksponentë të PS, refuzuan të prononcohen. Por, vetë shfaqja e tyre në publik ngriti një pyetje të fortë: a ishte beteja kundër Veliajt vetëm një betejë e opozitës, apo në të kishte edhe një luftë të brendshme për pushtet?
“Në 20 vjet që unë jam marrë me sondazhe ka qenë gjithmonë në kotat më të larta përveç Edi Ramës, që kuptohet që vazhdimisht del politikani me koutat më të larta, pra ka dal sipër Berishës, sipër Bashës, sipër Metës. Dhe arsye pse Veliaj ka pasur këto kuota të larta në opinion publik qoftë në Tiranë qoftë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh analisti, Alban Dudushi.
Por sërish pyetja për zgjidhjen e kësaj dileme është se, nëse protesta kundër një kryebashkiaku socialist organizohej dhe mbështetej nga opozita, pse pas arrestimit të tij reagimi politik i opozitës nuk mori të njëjtën formë dhe intensitet?
Në këtë klimë hyri në skenë një aktor që ndryshoi natyrën e debatit: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Por për Erion Veliajn, beteja nuk po bëhej më vetëm në rrugë dhe në politikë. Ajo po zhvendosej edhe brenda zyrave të drejtësisë.
Në pranverën e vitit 2024 u bë publike se SPAK kishte nisur një hetim pasuror ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, AjolaXoxa.
Për herë të parë, akuzat nuk ishin më thjesht politike.
Në dhjetor të vitit 2024, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontroll në banesën e Veliajt. Në atë fazë, sipas raportimeve, hetimi lidhej me verifikime pasurore, ndërsa Veliaj i konsideronte kontrollet pjesë të një procesi që e quante të pajustifikuar.
“Është e vërtet që prokuroria e posaçme ka bërë një volum të madh mbledhjesh dokumentacioni, por problematika më e madhe që ne konstatojmë në këtë fazë që sigurisht ne do ti publikojmë dhe do ti shprehim në gjykatë kur të jenë momente të tjera kur të jetë faza proceduriale, është ajo që unë thashë, që i gjithë informacioni i mbledhur nuk ka lidhje, drejtpërdrejta me detyrën e zotit Veliaj”, u shpreh Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i Veliajt.
“SPAK si organ procedues ka ngritur një akuzë shumë të rëndë, për 9 raste korrupsioni të pretenduara dhe vepra shumë të rënda penale. Patjetër që ai është i bindur në momentin që ka ngritur akuzën dhe e ka marrë të pandehur zotin Veliaj, është i bindur që nga ana e tij janë kryer këto vepra penale”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.
Më pas erdhi momenti që ndryshoi imazhin e gjithë historisë. Pamjet e Veliajt duke u larguar nga zyra nën shoqërimin e policisë u kthyen në simbolin e përballjes së një prej figurave më të fuqishme të politikës vendore me drejtësinë.