390 studentë nisin studimet në Akademinë e Sigurisë, Hita: Policia nuk është thjesht profesion, por mision

7 October 2026, 13:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

390 studentë nisin studimet në Akademinë e Sigurisë, Hita:

390 studentë kanë nisur studimet Bachelor në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë. Në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vlerësoi përfshirjen e brezit të ri në formimin e strukturave të Policisë së Shtetit.

Hita tha se vendimi për t’u dhënë maturantëve mundësinë për të konkurruar për studimet në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” ka rezultuar i suksesshëm, duke theksuar se energjia, mentaliteti dhe qasja e brezit të ri janë të rëndësishme për rritjen e besimit të qytetarëve te Policia.

“Policisë së Shtetit i duhet brezi i ri, energjia, mentaliteti dhe fytyra e re, komponentë që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve te Policia”, u shpreh Hita.

Sipas tij, gjatë tre viteve të fundit interesi i maturantëve për programin Bachelor ka qenë i lartë, me mijëra të rinj që kanë konkurruar për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë. Këtë vit, pas një procesi konkurrues dhe transparent, janë përzgjedhur 390 studentë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi gjithashtu zhvillimin e Akademisë së Sigurisë dhe bashkëpunimin e saj me akademi prestigjioze në rajon, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Hita u ndal edhe te kushtet e studimit, literatura e akademive të huaja, ambientet dhe laboratorët që janë në dispozicion të studentëve dhe pedagogëve. Ai kujtoi se edhe vetë është shkolluar në këto ambiente, por theksoi ndryshimin e madh mes kushteve të atëhershme dhe atyre që ofron sot Akademia e Sigurisë.

Duke iu drejtuar studentëve të rinj, Hita theksoi se tre vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për formimin e tyre profesional dhe njerëzor.

“Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por është mision. Dhe për të përmbushur këtë mision duhen këmbëngulje, vullnet, dije, përgatitje fizike, disiplinë, respekt për njëri-tjetrin dhe për pedagogët”, tha ai.


Video