Apeli i GJKKO çon në burg nënën me foshnjë 4-muajshe, ku janë “shoqatat e grave”?

7 October 2026, 11:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Apeli i GJKKO çon në burg nënën me foshnjë 4-muajshe,
Foto ilustruese

Rasti i Greta Gjocit (Pepa) po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa një nënë me një foshnjë vetëm katër muajshe është dërguar këtë të mërkurë drejt burgut të grave në Pojskë.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga Vox News, Greta Pepa është shoqëruar gjatë ditës së sotme drejt institucionit të vuajtjes së dënimit dhe me të ndodhet edhe foshnja e saj 4-muajshe.

Vetëm dy ditë më parë, më 5 tetor, Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e dënuar përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burgim për “mashtrim kompjuterik” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Sipas të dhënave të konfirmuara nga VoxNews, Greta Pepa ka punuar si operatore call center-i. Ajo nuk rezulton të ketë qenë pronare e call center-it dhe as drejtuesja e grupit. Në dosjen për të cilën është dënuar, si drejtues i grupit identifikohet Bruno Çobo, i cili ka marrë dënimin më të lartë, 8 vjet burgim kurse punonjësja Greta Gjoci është dënuar me 6 vjet e 8 muaj.

Megjithatë, për shkak të mënyrës se si është ngritur akuza e grupit të strukturuar kriminal, operatorja e call center-it ka marrë një dënim prej 10 vitesh (6.8 vite me gjykim të shkurtuar) si pjesëtare e së njëjtës strukturë kriminale.

Pra, një grua që punonte në telefon si operatore përfundon juridikisht brenda së njëjtës strukturë penale me personat që organizonin skemën.

Një tjetër detaj i konfirmuar nga Vox News lidhet me gjendjen ekonomike të Greta Pepës. Ajo jeton prej vitesh në një banesë me qira.

Fakti që Greta Pepa jeton në një shtëpi me qira nuk e përjashton juridikisht nga përgjegjësia penale, por është një element që shton pyetjet mbi rolin dhe përfitimin e saj konkret nga skema për të cilën është dënuar.

Skandali thellohet edhe më tej, pasi Greta Pepa nuk ishte e lirë deri në vendimin e Apelit.

Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është ekzekutuar ndaj saj më 27 korrik 2023, çka do të thotë se deri këtë javë ajo kishte kaluar më shumë se tre vjet nën kufizim të plotë të lirisë.

Por kjo ska mjaftuar për treshen e gjyqtarëve, Dhimitër Lara, Sajda Dollani dhe Engert Pëllumbi, duke bërë që masa e arrestit në shtëpi të pasohet nga ekzekutimi i dënimit me burg.

Pamja e një nëne që hyn në institucionin e vuajtjes së dënimit së bashku me një fëmijë katër muajsh ngre një pyetje që tashmë nuk lidhet vetëm me fajësinë e Greta Pepës, por praktikisht Apeli i GJKKO ka dërguar në burg dhe foshnjen 4-muajshe. 

Në Shqipëri ekzistojnë dhjetëra organizata, shoqata dhe struktura të shoqërisë civile që deklarojnë publikisht se mbrojnë gratë, nënat dhe fëmijët.

Por kur një nënë me një foshnjë katër muajshe dërgohet në burg së bashku me fëmijën, këto shoqata që kanë përvetësuar qindra mijëra euro, sot janë zhdukur.

Këto organizata që mbrojnë të drejtat e grave dhe fëmijëve pritet të paktën të ngrenë pyetjen nëse në këtë rast është respektuar interesi më i lartë i një foshnjeje katër muajshe dhe nëse janë përdorur të gjitha mekanizmat që vetë ligji shqiptar ofron për një situatë të tillë.

Sepse sot nuk po hyn vetëm një grua në burg, në Pojskë po shkon edhe një foshnjë 4-muajshe.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video