Napoli nuk pret gjatë dhe arrin marrëveshjen me trajnerin e ri, klubi napoletan do të ulë në pankinë francezin, Rudi Garcia.
Ka qenë presidenti i klubit italian, De Laurentis që ka dhënë njoftimin, me një postim në rrjetet sociale.
“Kam kënaqësinë të ju njoftoj se, pasi e kam takuar gjatë 10 ditëve të fundit, zoti Rudi Garcia do të jetë trajneri i ri i Napolit”, shkroi De Laurentis.
Rudi Garcia vjen pas një përvoje në Arabinë Saudite me Al Nassr. Më parë, “timonieri” ka drejtuar skuadra si Roma, Lyon apo Lille. 59-vjeçari do të zëvendësojë Spalletin, i cili u largua nga Napoli pas fitimit të titullit kampion.
Napolin e pret një punë e madhe këtë verë. Synimi është mbajtja e elementëve që spikatën gjatë edicionit, ndërsa do tentohet afrimi i 2-3 futbollistëve cilësorë.