Dhjetorin e shkuar u shpall kampion bote, ndërsa tashmë, karriera merr një goditje tepër të fortë. Alejandro Gomez pezullohet me dy vite nga futbolli i luajtur. Ish-lojtari i Sevillas doli pozitiv në një substancë të ndaluar në një test të kryer në nëntor 2022, pak ditë para Kupës së Botës, të cilën e luajti në Katar, duke ngritur lart edhe trofeun.
Gomez luajti në dy takime, përballë Arabisë Saudite dhe Australisë me një total prej 107 minutash. Gjithçka ndodhi gjatë një seance stërvitore të Sevillas kur mjekët mbërritën në mënyrë të papritur për të kryer një test antidoping.
Sipas versionit të futbollistit, ditë më parë ai kishte kaluar një natë të keqe, gjë që e bëri të konsumonte shurupin e një prej fëmijëve të tij pa u konsultuar me mjekët e klubit spanjoll.
Lojtari dhe Sevilla ishin në dijeni të çështjes prej muajsh kur mori njoftimin nga UEFA, ndonëse vetëm këtë javë iu dha sanksioni dyvjeçar. Pikërisht ky aspekt ishte një pengesë për gjetjen e një skuadre për Gomez gjatë verës, duke qenë se asnjë klub nuk donte të rrezikonte përballë këtij dënimi të mundshëm ende të pavendosur.
Kjo situatë bëri që palët të binin dakord për t’i shkëputur kontratën lojtarit, e cila skadonte në vitin 2024. Argjentinasi firmosi me Monza në Serie A, por eksperienca italiane nuk shkoi siç duhet. Tashmë, përpos një ulje të pezullimit, Gomez rrezikon të mbetet jashtë fushave për një kohë të gjatë dhe të mendojë seriozisht tërheqjen nga sporti.