TRAGJIKE/ Vdes në spital futbollisti i Egnatias, Rafael Duamena!

11 November 2023, 14:54Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
TRAGJIKE/ Vdes në spital futbollisti i Egnatias, Rafael Duamena!
Rafael Duamena

Sulmuesi i Egnatias, Rafael Duamena ka humbur jetën në spital pas kolapsit në fushën e blertë. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të FSHF dhe pranë spitalit ku u dërgua sulmuesi pasi u rrëzua papritur pa ndjenja gjatë ndeshjes me Partizanin.

Rafael Duamena mori ndihmën e parë mjekësore në fushë dhe u transportua me ambulancë në spital, por nuk arriti që të mbijetojë duke ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare.

Ky ishte kolapsi i tretë në fushë për sulmuesin ganez. Pak vite më parë, ai është diagnostikuar nga një problem në zemër dhe në vitin 2020 u detyrua të vendoste defibrilator për të shmangur arrestet kardiake, para se të firmoste me Real Saragozën.

Njoftimi i policisë:

Në stadiumin "Arena Egnatia", ku po zhvillohej ndeshja e futbollit të ligës "Abisnet Superiore", midis ekipeve Egnatia dhe Partizani, në minutën ‘23-‘24, futbollisti i ekipit Egnatia, shtetasi R. D., 28 vjeç, kapiten i këtij ekipi, është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja.

Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes.


Video