Tirana fiton për herë të 12-të Superkupën, mposht Vllazninë në ‘Air Albania’ (VIDEO)

7 Dhjetor 2022, 21:09Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tirana fiton për herë të 12-të Superkupën

Superkupa e Shqipërisë është e Tiranës. Bardheblutë mposhtën 3-2 me përmbysje Vllazninë në “Air Albania”, duke i shtuar palmaresit të tyre trofeun e 12-të të Superkupës. 

Një fitore e madhe e të besuarve të Orges Shehit që edhe pse u ndëshkuan që në minutën e 7-të nga Esat Mala, arritën të shënonin dy gola, duke përmbysur rezultatin.

Një perlë e vërtetë ajo që bëri Patrick në minutën e 39-të, një kryevepër, të ngjashme me realizimin e Richarlison në Botëror.


Golin e dytë, atë avantazhit të përkohshëm 2-1, e shënoi Florent Hasani në minutën e 53-të, duke e kaluar presionin në anën e kuqebluve, që pas shumë përpjekjesh ia dolën të barazonin në minutën e 86-të me një 11-metërsh të shënuar nga Latifi.

Por në kohën shtesë, atëherë kur nuk kishte më kohë për të reaguar, Redon Xhixha ndëshkoi ekipin shkodran me golin e rezultatit përfundimtar 3-2, me Kupën që u ngrit nga bardheblutë.

Video