Sllovakia bën surprizën e madhe, mposht Belgjikën, VAR i anulon dy gola Lukakut

17 Qershor 2024, 20:56Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Festa e Sllovakise

Sllovakia ka bërë surprizën e parë të madhe në Euro 2024, teksa ka mundur 1-0 Belgjikën.

Sllovakia e nisi takimin në mënyrë të shkëlqyer, duke kaluar në avantazh që në minutën e 7 me anë të Schranz. Të gjithë menduan se Belgjika do të reagonte menjëherë pas këtij goli, por De Bryne e yjet e tjerë belg nuk arritën të rrezikonin thuajse asnjëherë në 45 minutat e para.

Po ashtu edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm nga të dyja ekipet, madje në disa raste sllovakët u treguan të rrezikshëm dhe shumë pranë golit të dytë. Pas zëvendësimeve, Belgjika reagoi dhe në fushë ishte një tjetër skuadër, por tashmë fati nuk ishte me ta, pasi në njërin rast Lukaku u zu në pozicion jashtë loje dhe festa e golit u ndërpre në mes, ndërsa pak minuta më pas, gjiganti i sulmit belg e dërgoi sërish topin në rrjetë, por këtë herë arbitri, i ndihmuar edhe nga VAR, vërejti një prekje me dorë nga Openda, i cili asistoi për golin që u anulua.

Me këtë fitore, edhe pse minimale, Sllovakia ka bërë surprizën e parë të madhe në këtë Europian, ndërsa Belgjika do të luajë shanset në dy ndeshjet e tjera në grup me Rumaninë dhe Ukrainën.


Video