Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo analizoi humbjen 2-0 ndaj Anglisë. Tekniku kuqezi deklaroi se goli i dytë i vendasve e mbylli ndeshjen, ndërsa shtoi se në mbrojtje si ajo e Anglisë është e vështirë për të depërtuar.
Sipas tij, gjëja pozitive që mund të marrë nga kjo ndeshje është shpirti dhe zemra e dhënë në fushë.
“Kjo është një fushë e vështirë. Goli i dytë e mbylli ndeshjen. Jemi të zhgënjyer, por dua t’i bëj komplimente lojtarëve. E kishim përgatitur kështu ndeshjen. Uzuni është i shpejtë dhe luan në mbrojtje. Në pjesën e dytë provuam edhe me Brojën. Ndaj lojtarëve të Anglisë që janë të mëdhenj, është e vështirë që të depërtosh në mbrojtje.
Shpirti shqiptar, me zemër në fushë, është gjëja pozitive nga kjo ndeshje. Në ndeshjet e tjera duhet të jemi në lojë deri në minutën e 70-të.
Duhet të flasim me mjekët për Strakoshën. Edhe Laçi ka marrë një goditje dhe është koha për të shikuar gjendjen e lojtarëve”, deklaroi Silvinjo.
Ndërsa kapiteni i skuadrës Berat Gjimshiti tha se ishte pikërisht kualiteti i kundërshtarit që krijoi vështirësi të mëdha në fushë.
“Të them të drejtën është shpejt për ta vlerësuar apo analizuar taktikën, por vërejta që ishte thellësia e lojtarit si Bellingham, ka prekur shumë topa, ajo na ka futur në vështirësi, me një lëvizje nxjerr gjithë mbrojtjen jashtë”, u shpreh Gjimshiti.
Ai shtoi se hyrja e Armando Brojës në lojë motivoi ekipin, por gjithçka u përcaktua me golin e dytë.
“Sidomos nga minuta e ’60 lojtarët morën vetëbesim, me hyrjen e freskët të Brojës, na dha një motivim…”
“Besoj që kemi akoma kohë, është vetëm një ndeshje. Sigurisht Anglia është favorite, duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës. Ta analizojmë sigurisht, por duhet ta harrojmë sa më shpejt dhe të fokusohemi te ndeshja e radhës”, përfundoi ai referuar sfidës me Andorrën, më 24 Mars.
Shqipëria do të luajë sfidën e radhës ndaj Andorrës në Tiranë, të hënën e 24 marsit.