“Shqipëria po rritet shumë dhe Spalletti e di”, Igli Tare: Jam treçerek tifoz me Shqipërinë dhe çerek me Italinë

11 Dhjetor 2023, 19:44Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Igli Tare

Igli Tare, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe drejtor sportiv për shumë vite te Lacio, ka dhënë së fundi një intervistë për “Corriere della Sera”. Ai ka folur për largimin nga ky klub pas 18 vitesh, marrëdhënien e vështirë me Sarrin, tema të tjera të futbollit italian dhe ndeshjen e 15 qershorit Shqipëri-Itali.

“Po udhëtoj shumë, studioj dhe azhurnohem, sepse nëse nuk e bën rrezikon të mbetesh prapa e të mos e kuptosh më botën e futbollit”, – thotë Tare, i cili është gjithmonë me valixhe në duar. “Vetëm kështu mund të zbulosh kush është më i miri, kush është përpara. Anglia me Premier Ligën, natyrisht, por edhe Gjermania. Përveç Bajern Mynih, ajo që ka bërë Bajer Leverkusen është e pabesueshme. Një trajner i madh Xabi Alonso, një klub shumë i organizuar me një infrastrukturë të jashtëzakonshme”, shton Tare.

Po Italia?

Shkolla e futbollit nuk diskutohet, vlera e trajnerëve është një e dhënë e njohur në gjithë botën. Por në nivel organizativ është vite dritë prapa. Djali im i vogël është 11 vjeç, luan te Lacio. Si prind që e shoqëron, kuptoj vështirësitë e familjeve dhe sakrificat e tyre. Një klub i madh futbolli duhet të punojë për këtë pjesë, të ketë një organizim që lehtëson impenjimin e familjeve. Kështu mund të lindin kampionë, në të kundërt rrezikon të humbësh shumë. Për fat të mirë është Euro 2030, por nuk është vetëm ndërtimi i stadiumeve, duhet infrastruktura që e bëjnë një klub të madh, duke nisur nga të rinjtë.

Na thoni të vërtetën, a u larguat nga Lacio prej Sarrit?

Jo, absolutisht. Është shkruar shumë për këtë pjesë, por nuk është kështu. Fola me Lotiton, pas 18 vitesh kishte ardhur momenti për t’u larguar në mënyrën e duhur. Pa fërkime, Lacio është në zemrën time. Por duhet të shoh përreth, të mësoj dhe të njoh realitete të tjera.

Por Sarri nuk është një tip i lehtë, nuk ka të bëjë me largimin tuaj?

Është e vërtetë që ai do t’i bëjë gjërat sipas mënyrës së vet, nuk ndryshon. Nuk jam zënë asnjëherë me të, por nuk është e lehtë. Ka një mënyrë të tijën të konceptimit të futbollit dhe punës. Edhe Lotito i ngjan, një president me karakter të fortë. Ndonjëherë kam bërë ‘rrufepritësin”, është pjesë e punës së një drejtuesi, por kohës time te Lacio i kishte ardhur fundi. Sarri nuk ka të bëjë.

Si mund ta ndërtosh një skuadër të madhe?

Duhet të studiosh shumë, të kuptosh nën një moment të caktuar se çfarë mungon, ku duhet të përmirësohesh. Është një mozaik dhe të gjitha pjesët duhet të jenë në vendin e duhur. Duhet edhe durim për të pritur ndonjë talent, që nuk shpërthen menjëherë.

Këtë sezon Interi dhe Juventusi duken të një tjetër niveli…

Po, janë ata dhe pastaj Milani e Napoli. Napoli është rritur edhe është meritë e një trajneri të madh si Luçiano Spaleti, që sezonin e fundit rriti vlerën e shumë lojtarëve.

A do të shkoni te Napoli, pasi ka zëra?

Nuk kam folur me askënd, kështu që përgjigja është jo. Pastaj në futboll ndodh gjithçka në një moment. Shikoni çfarë ndodh tek Italia: ikën Mancini dhe vjen Spalletti. Bota jonë është shumë e shpejtë, kanë të bëjnë ofertat ekonomike, por edhe projektet e klubit. Po pres ofertën e duhur.

Më 15 qershor luhet në Dortmund Itali-Shqipëri. Tare për kë bën tifo?

Treçerek për Shqipërinë dhe çerek për Italinë. Sepse lidhja e ne shqiptarëve me vendin tuaj është e fortë. Do ta shikoni, atë ditë do të jenë 80 mijë njerëz duke kënduar himnin e Mamelit, edhe shqiptarët. Ka ndodhur në Xhenoa 9 vjet më parë.

Kemi një raport të veçantë me Italinë, që është e vështirë të shpjegohet sa i thellë është. Por kini kujdes nga Shqipëria, sepse po rritet shumë dhe për Italinë do të jetë një ndeshje e vështirë. Spalleti është i zoti, e di mirë.

Video