Santos u jep fund thashethemeve dhe mbron Ronaldon: Është bërë e modës të sulmohet vetëm Cristiano

9 Dhjetor 2022, 14:47Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, në vigjilje të çerekfinaleve të Botërorit, në konferencën për shtyp shpjegoi zgjidhjen pse e la Cristianon në stol kundër Zvicrës. Një zgjidhje jo e pëlqyer nga numri 7, por e pranuar pa shkaktuar asnjë problem.

“I shpjegova arsyet pse nuk do të luante. Mendova se hyrja e tij në lojë në pjesën e dytë mund ta zgjidhte ndeshjen. Sigurisht që Cristiano nuk ishte i kënaqur sepse zakonisht luan nga fillimi, por ishte një bisedë shumë normale dhe e qetë".

Gjithashtu, Santos iu ka dhënë fund thashethemeve që Ronaldo ishte gati të linte kombëtaren:

"Kurrë nuk tha që donte të largohej nga grumbullimi. Mendoj që nuk duhet vazhduar me spekulime, pasi e shikoj që është bërë e modës të sulmohet vetëm Cristiano. U pa qartë shembulli që dha në ndeshje, ai ishte ai që bënte tifo më shumë se të gjithë nga stoli, festoi për të gjithë golat. Lëreni të qetë Ronaldon".

Kur u pyet nëse do të përdorte të njëjtin formacion si ndaj Zvicrës edhe kundër Marokut, Fernando Santos u përgjigj:

“Thuhet se ekipi që fiton, nuk ndryshohet. Por, Maroku ndryshon nga Zvicra”.

Video