
Kohët e fundit të gjitha lajmet në lidhje me Kylian Mbappenë e Paris Saint-Germain-it kanë qenë në lidhje me Real Madridin, kur do ti bashkohet, sa do të paguhet, si do i përshtatet formacioni i Ekipit Mbretëror, megjithatë, lajmet e fundit sugjerojnë se transferimi në Madrid nuk është më dhe aq i sigurt.
Mbappe është nën kontratë me PSG-në deri më 30 qershor dhe ka qenë në gjendje të negociojë me klube të tjera që nga 1 janari, por ish-anësori i PSG-së, Jerome Rothen, ka thënë se nuk duhet përjashtuar mundësia e rinovimit të 23-vjeçarit me klubin parisien.

“Sipas informacioneve të mia, marrëdhëniet janë përmirësuar mes Kylian Mbappesë dhe PSG-së”, tha Rothen për radion RMC gjatë emisionit ‘Rothen on Fire’.
“Mundësia që ai të largohej në gusht ishte pothuajse 99 për qind. Megjithatë, marrëdhëniet së fundi janë ngrohur aq shumë sa shansi transferimit ka rënë në 65 për qind.
“Më është thënë gjithashtu se kjo mund të ndryshojë në çdo kohë”.

Rothen gjithashtu mendon se nëse PSG e eliminon Real Madridin në Champions League, atëherë kjo mund të luajë një faktor në procesin e vendimmarrjes së francezit.
“Në shkëmbimet që munda të bëja, kuptova se kualifikimi kundër Real Madridit mund të ndryshojë gjërat pozitivisht për PSG-në”, përfundoi Rothen.