
Qeveria ka ulur me 2.5 herë buxhetin për shumësportëshin, duke tkurrur ndjeshëm financimet për sporte si basketbolli, volejbolli, peshëngritja, apo atletika.
Buxheti, nga 138 milionë lek që ishte në vitin 2021, këtë vit ka rënë në 50 mln lek, një shifër që rikthen fondet për shumësportesh shumë vite pas në kohë, përsa i përket financimit.
Peshëngritja, Boksi, Basketbolli dhe Volejbolli mbeten sportet që do të përfitojnë pjesën më të madhe të këtyre parave, por sërish shifra është mjaft e ulët. Rreth 20 mln lek do të përfitojnë këto katër sporte, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet mes atletikës, ping-pongu, gjimnastikës e të tjera.
Si të mos mjaftonte granti i papërfillshëm, ai ende nuk u është ndarë federatave të sportit, që burim kryesor të ardhurash kanë pikërisht këtë grant të qeverisë.
Të vetmet federata që kanë pasur rritje të buxhetit nga qeveria, janë skitë dhe alpinizmi, buxheti i të cilave sërish është i papërfillshëm.