Juventusi e nisi kampionatin në mënyrë të shkëlqyer, duke u konsideruar si një nga mbrojtjet më të forta në ligat kryesore. Megjithatë dëmtimi i Gleison Bremer, i cili ka mbyllur sezonin, ka prishur ekuilibrat.
Në tri ndeshjet e fundit, bardhezinjtë kanë pësuar shtatë gola dhe për këtë arsye, janë ndezur sirenat e alarmit.
Drejtuesit kanë nisur nga puna dhe synojnë të afrojnë një mbrojtës në merkaton e janarit. I pari në listë, është ish-kapiteni i Interit, Milan Skriniar.
Futbollisti sllovak nuk po gjen hapësira te PSG-ja dhe një transferim në Torino, shihet me sy të mirë nga të dyja palët, pasi lojtari e njeh mirë kampionatin italian.
Problemi i vetëm, është paga e lartë e mbrojtësit. Skriniar merr 9 milionë euro në sezon te kampionët e Francës, shifër që Juventusi nuk i afrohet.
“Zonja e Vjetër” do të tentojë ta afrojë në huazim në janar dhe nëse kjo nuk realizohet, do të kalojë te objektivat e tjerë, që janë Bijol i Udinese-s dhe Tah i Leverkusen-it.