Napoli u shtang në shtëpi nga Hellas Verona, duke barazuar 2-2 në duelin e javës së 19-të në Serinë A.
Hap fals nga kampionët në fuqi, që e mbyllën pjesën e parë në disavantazh të dy golave. Verona zhbllokoi takimin në minutën e 16-të me Frese, ndërsa Orban dyfishoi 11 minuta më vonë.
Fraksioni i dytë nisi me Napolin në sulm dhe McTominay ngushtoi diferencat në minutën e 54-t. Di Lorenzo barazoi shifrat në minutën e 82-të, por ekipi i Contes nuk ia doli dot të përmbysë rezultatin.
Me këtë barazim, Napoli mban vendin e tretë me 38 pikë, një më pak se Interi kryesues. Verona mban vendin e 18-të me 13 pikë.
Në duelin tjetër, Atalanta triumfoi 0-2 në transfertë ndaj Bolognas, në duelin direkt për zonën europiane. Bergamaskët ishim më kërkues nga fillimi dhe gjetën avantazhin me Krstovic në minutën e 37-të.
Ishte i njëjti autor, i cili në minutën e 60-të dyfishoi shifrat, për të vulosur fitoren e miqve.
Me këtë sukses, Atalanta mban vendin e shtatë me 28 pikë të grumbulluara, ndërsa Bologna zbret në vendin e tetë me dy pikë më pak.