Legjenda amerikane e boksit, Mike Tyson do të rikthehet në ring, për t’u ndeshur me ish-Yotuberin tashmë boksier, Jake Paul.
Ndeshja do të mbahet në 20 korrik në “AT&T Stadium”, ka njoftuar Netflix.
Platforma e transmetimit do të sigurojë mbulim të drejtpërdrejtë të ndeshjes mes 27-vjeçarit Paul dhe 57-vjeçarit Tyson, i cili nuk ka luftuar në ring që kur ai dhe Roy Jones Jr u përballën në një ndeshje që përfundoi në barazim.
Paul fitoi popullaritet në platformën YouTube dhe më pas u bë profesionist në boks. Ai ka fituar nëntë nga 10 ndeshje me gjashtë nokaut kundër kundërshtarëve, kryesisht më të dobët se ai. Humbja e tij e vetme erdhi vitin e kaluar nga Tommy Fury, gjysmë vëllai i kampionit të peshave të rënda në WBC, Tyson Fury.
“Iron Mike” Tyson ishte kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda botërore nga 1987-90 dhe doli në pension në vitin 2005 pasi fitoi 50 ndeshje, 44 me nokaut.
