“Me ta luajmë me 9”, Ezio Greggio kundër këtyre dy lojtarëve të Juves, sulmon dhe drejtuesit

23 Shkurt 2026, 18:02Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kombinimi i humbjeve me Galatasaray dhe Como ka qenë një goditje e rëndë për sezonin e Juventus, pothuajse jashtë Champions League dhe me vendin e katërt në kampionat që largohet (Napoli dhe Roma janë +4, ndërsa pas tyre Como dhe Atalanta janë -1). Një trend negativ që në fakt kishte nisur me humbjen e rëndë 3-0 në Bergamo, të ndjekur nga barazimi në shtëpi me Lazion dhe humbja me Interin në San Siro. Me pak fjalë, në 5 ndeshjet e fundit të luajtura nga bardhezinjtë ka pasur vetëm një barazim, pastaj vetëm disfata, jo vetëm në rezultat. Tifozët janë të lodhur, iluzioni për ta rregulluar sezonin pas ardhjes së teknikut Luciano Spalletti është shuar. Ezio Greggio flet në emër të shumëkujt dhe në X publikon një postim ku “bën copë” dy futbollistë dhe sulmon edhe një drejtues të klubit, përveçse shpreh dëshirën për një ndryshim pronësie.

“Në Juventus pas ndeshjes farsë me Interin u rrëzua vetëbesimi – është fillimi i postimit të prezantuesit, i njohur si tifoz juventin, që i referohet episodit të përjashtimit të Kalulu që kishte gjeneruar shumë polemika për simulimin e Bastoni – Një tjetër humbje. Pa Bremer në prapavijë jemi më të cenueshëm, Di Gregorio nuk i përmbush pritshmëritë. Zero sulmues. Me Koopmeiners dhe Openda në fushë luajmë me 9. Spalletti nuk mund të bëjë mrekulli me një skuadër ku po deshe vetëm 30% e lojtarëve janë të denjë për Juve”.

Pasi “gatuan” skuadrën e Juves, Greggio kalon te nivelet e larta të klubit: “Duhet rindërtuar gjithçka, nga lart, shumë lart, ku nevojitet një pronësi që ta dojë futbollin, drejtues që për të kuptuar futbollin italian duhet të flasin gjuhën tonë dhe të vijnë nga përvoja të konsiderueshme në kampionatin tonë, deri te lojtarët që të jenë të denjë për Juve”.

Referimi për gjuhën (përveç përvojës në Serie A) e ngushton rrethin drejtues në vetëm një person, pra francezin Damien Comolli, që prej qershorit të kaluar është AD i klubit bardhezi.

“Në futbollin e sotëm, për të synuar lart, duhen një trajner i madh (e kemi), një përzierje lojtarësh kampionë (kemi vetëm Yildiz dhe Bremer) dhe lojtarë solidë me paraqitje të qëndrueshme (kemi shumë pak). Me gjysmë-figura, këpucarë dhe ‘bidona’ rezultatet janë këto: që nga 2020 nuk fitojmë një Kampionat, që nga 2021 një Kupë (italiane) (në fakt Kupa e fundit e Italisë është e vitit 2024, shën. red.). Skandaloze nuk ka qenë vetëm fanella e fundit, por menaxhimi i viteve të fundit. Ka grupe të mëdha me mjete të jashtëzakonshme financiare që mund ta rikthejnë të madhe Juven, ndoshta me një ish, mit bardhezi, në krye të strukturës”, përfundon komiku piemontez, duke e ngritur tonin deri te John Elkann dhe familja Agnelli.


Video