Një prej lëvizjeve më të rëndësishme të merkatos së futbollit sapo është bërë realitet.
Sulmuesi francez Kylian Mbappe ka zyrtarizuar sot kalimin te ekipi spanjoll i Real Madrid, pas largimit nga Paris Saint-Germain.
Sipas gazetave sportive, Mbappe ka nënshkruar një kontratë 5 vjeçare me 15 milionë euro në vit, përveç rreth 125 milionë euro bonus i firmës.
Kryesuesit e La Ligës, ngritën këtë vit kupën e 15-të të Champions League pasi mposhtën 2-0 Dortmundin në finale.
Në vitin 2017, pasi luajti për Monacon, Mbappe iu afrua bashkimit me gjigantët spanjollë, por vendosi të bashkohej me PSG-në pasi klubi ra dakord për një marrëveshje rekord botëror me vlerë 180 milionë euro.
Mbappe u bë kapiteni i klubit të PSG dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 255 gola, duke fituar gjashtë tituj të Ligue 1 në shtatë sezone.
25-vjeçari bën realitet edhe një ëndërr të tijën, duke iu bashkuar Real Madrid, teksa do të luajë te ish-ekipi i idhullit të tij, Cristiano Ronaldo.