
Një ngjarje e bujshme ka ndodhur sot në Itali, pasi në mënyrë të papritur, trajneri i Fiorentinës, Rafaele Paladino, u ka paraqitur dorëheqjen drejtuesve të klubit të qytetit të Firences.
Paladino ia doli të drejtonte Fiorentinën drejt kualifikimit në Ligën e Konferencës, ku skuadra italiane gjithsesi dështoi të arrinte deri në finale që ishte objektivi i “vjollcëve”. Dhe kritikat që ka marrë në fund të këtij edicioni, si dhe disa kontestime të tifozëve, kanë shtyrë Paladinon që të japë dorëheqjen.
Në sfond janë edhe oferta të mundshme nga klube të tjera, pasi janë të shumta ato të njohura në Itali që janë në kërkim të një trajneri si Napoli, Roma, Milan, Juventus apo edhe vetë Interi.
Dorëheqja e Paladinos ka qenë e papritur për faktin se më datën 7 maj, palët kishin rënë dakord që të zgjatej marrëveshja mes tyre deri në verën e vitit 2027.