Ceferin i kthehet Klopp e Guardiolas: Boll u ankuat, s’jeni punëtorë fabrike

26 June 2022, 11:56Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ceferin i kthehet Klopp e Guardiolas: Boll u ankuat, s’jeni
Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin kërkoi nga trajnerët Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp që të ndalojnë së ankuari për kalendarin dhe formatin e Ligës së Kampionëve që ndryshon nga 2024.

Slloveni i është kundërpërgjigjur dyshes së trajnerëve të Premier League, të cilët shpesh kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me formën e lojtarëve për shkak të ndeshjeve të ngjeshura. Por Ceferin ka tentuar t'i mbyllë gojën dyshes duke deklaruar se "punëtorët e fabrikës" në pozicione shumë më pak të privilegjuara janë ata që duhet të ankohen, jo trajnerët e superpaguar.

"Është gjithmonë e lehtë të sulmosh FIFA-n dhe UEFA-n, por gjëja është e thjeshtë. Nëse luan më pak, merr më pak para. Kush duhet të ankohet janë punëtorët e fabrikës që marrin 1000 euro në muaj. Të gjithë duan më shumë lojëra kupe, por askush nuk heq dorë nga asgjë. Klubet donin 10 ndeshje në fazën e grupeve të Champions League. Ata do të kenë tetë, është numri i duhur. Ligat vendase duhet të kenë 18 klube, por presidentët nuk janë dakord. Ata duhet të kuptojnë se dy kupa vendase janë shumë”, tha Ceferin, duke iu referuar Anglisë, që ka dy të tilla.

Duke folur për Gazzetta dello Sport, Ceferin diskutoi gjithashtu ndryshimin e formatit të Ligës së Kampionëve në vitin 2024, duke mbrojtur vendimin e UEFA-s për të ndryshuar fazën e grupeve dhe duke e quajtur kompeticionin aktual 'shumë të parashikueshëm'.

“Sot, tashmë mund të parashikoni se kush do të luajë në raundin e 16-të pas shortit. Në të ardhmen, klubet e mëdha do të takohen më shpesh, klubet më të vogla do të kenë më shumë shanse për t'u kualifikuar dhe grupi do të luftohet deri në fund. Do të jetë spektakolare”, premton Ceferin.

Klopp dhe Guardiola kanë qenë kritikë për mënyrën se si Premier League, FA, UEFA dhe FIFA kanë planifikuar turne në nivel klubesh dhe ndërkombëtar, duke rritur numrin e lojërave me intensitet të lartë.

 


Video