
Parku Olimpik në Tiranë u kthye sërish në një arenë gjatë evenimentit të boksit ‘OTR Fighting Night’, teksa 11 boksierë shqiptarë u ngjitën në ring pikërisht këtë të martë për të festuar sipas mënyrës së tyre 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndër të parët që u ngjitën në ring ishte 17-vjeçari Xhuzepe Jaka, i cili vinte në përballjen e tij të radhës me bilancin dy fitore dhe asnjë humbje.
Edhe në këtë eveniment, Jaka pati si kundërshtar një boksier boshnjak, Ajdin Vranesic, i cili vinte në këtë duel me bilancin dy fitore dhe dy humbje.
Ashtu sikurse ndodhi përpara 10 ditësh, Jaka edhe në përballjen me Vranesic u shfaq superior, teksa arriti ta hedhë dy herë në knock down kundërshtarin e tij.
Pas herës së dytë, boshnjaku nuk mundi dot të ngrihej dhe fitorja i shkoi me knock out pikërisht Xhuzepe Jakës që në këtë mënyrë e çoi bilancin në 3 fitore, të trija me knockout dhe asnjë humbje.