Shqipëria fitoi me shifrat 3-0 ndaj Çekisë duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në Euro 2024. Mesfushori Ylber Ramadani u shpreh pas sfidës se ka mësuar shumë nga eksperienca në Shqipëri me Partizanin ndërsa shtoi se tashmë Shqipëria është shumë kompakte dhe nuk i lejon shanse kundërshtarëve.
“Është natë e madhe për të gjithë dhe janë tre pikë shumë të rëndësishme, u futëm për të fituar dhe jo barazuar. Kur shënuam ata, sulmuan sepse ishin të dytët në grup, por për ne është një mbrëmje e madhe. Përqafova babin dhe më tha se ka mbetur edhe një ndeshje.
Sot para ndeshjes fola me Ajetin dhe Gjimshitin, i thashë se unë luaja në Kosovë kur ju shkuat (në Europian) dhe shpresoj që edhe unë ta bëj ëndrrën realitet. Kur erdha në fillim në Shqipëri kisha vështirësi, luaja me Partizanin B për tre katër muaj, por nga aty mësova shumë.
Tani e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, kundërshtarët nuk kanë shumë shanse, bënë vetëm golin me dorë dhe asgjë tjetër. Fitoren ia dedikoj Zotit dhe pastaj familjes sime”, u shpreh Ramadani.