Asnjë skuadër nuk i funksionon, Pirlo kandidat për Belgjikën: Sfidë me Thierry Henry për pankinën

10 Janar 2023, 21:40Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Andrea Pirlo

Pas gjashtë vitesh si trajner i Belgjikës, Roberto Martinez u largua nga pankina e kombëtares. Eliminimi në fazën e grupeve të Botërorit i kushtoi shtrenjtë spanjollit, që dha dorëheqjen nga detyra. Martinez u zyrtarizua tani si trajner i Portugalisë, por belgët janë ende në kërkim të një trajneri. Federata vendosi kështu të publikojë një njoftim pune për të gjetur kandidatin ideal. Sot, 10 janar, është kufiri përtej të cilit aplikimet nuk mund të dërgohen më. Në kërkesat që Federata Belge u ka vendosur kandidatëve janë: fitues serial, eksperiencë ndërkombëtare dhe menaxher ekspert në taktikë. Mes atyre që kanë përcjellë kandidaturën në tavolinën e presidentit të federatës belge është edhe Andrea Pirlo.

Ish-trajneri i Juventus, aktualisht i dhjeti në Turqi me Karagumrük, i dorëzoi CV drejtorit ekzekutiv federal Peter Bossaert dhe bashkëpunëtorëve të tij. Pirlo si trajner fitoi një Kupë Italie dhe një Superkupë Italie me Juventus, në të vetmin vit në pankinën bardhezi. Më pas Juve vendosi të mos e konfirmonte dhe kampioni i botës i vitit 2006 u gjend pa ekip, deri kur gjeti strehim në Turqi.

Duket se trajnerit italian i mungon një nga kërkesat themelore për marrjen e vendit të punës: fituesi serial. Në fakt, përveç dy trofeve të fituara në pankinën bardhezi, Pirlo nuk ka fituar asgjë tjetër si trajner. Ndaj edhe pse emri i Andrea Pirlo është vlerësuar nga drejtuesit e Federatës belge, duket se ai nuk është favoriti për të zënë vendin e trajnerit. Një tjetër legjendë e futbollit, Thierry Henry, ndërkohë, mund të ulet në pankinën belge. Ai ishte ndihmës i Martinez, por tani kërkon një rol protagonisti. Në fakt, ish-futbollisti francez tashmë e njeh ambientin e kombëtares dhe do të ishte një zgjedhje e vlerësuar nga lojtarët e kombëtares.

Video