Sindikata e Universiteteve “zbret” në protestë: Nga nesër bojkot në të gjitha universitetet publike

20 October 2026, 20:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sindikata e Universiteteve “zbret” në protestë: Nga

Kryesia e Sindikatës së Universiteteve ka vendosur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që protestojnë. Bojkoti nis të mërkurën, më 21 tetor, dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.

Në deklaratën e saj, sindikata argumenton se “studentët kanë protestuar prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe për llogaridhënie”. Sipas saj, kërkesave të tyre u është përgjigjur heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe dhuna ndaj protestuesve.

Pedagogët shprehen se “nuk mund të vijojnë mësimin normalisht, ndërkohë që studentët e tyre përballen me dhunën në rrugë”. Ata ngrenë gjithashtu shqetësime për “zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë”.

Sindikata kërkon “ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës që prej 13 tetorit, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që e kanë urdhëruar apo ushtruar atë”. Po ashtu, kërkon trajtim të ligjshëm dhe dinjitoz për çdo student të shoqëruar nga policia dhe plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve.

Sindikata u ka bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që marrin pjesë në protestë.

Në deklaratë theksohet se bojkoti nuk përbën braktisje të auditorëve, por një formë reagimi në mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetit të studentëve.

Përveç bojkotit, pedagogët bëjnë të ditur se do të marrin pjesë aktivisht në protestë. Ata do të mblidhen çdo ditë, në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, në mbështetje të studentëve.


Video