Rusia po planifikon sabotime në Evropë

2 October 2026, 20:38Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rusia po planifikon sabotime në Evropë

Shërbimet ruse të inteligjencës po përgatitin një intensifikim të operacioneve hibride në vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, përfshirë akte të mundshme sabotimi, paralajmëroi të premten Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (GUR).

Sipas GUR-së, shërbimet ruse kanë marrë udhëzime për të shtuar aktivitetin e tyre në Evropë, me synimin për të minuar mbështetjen për Ukrainën dhe për të dobësuar kapacitetet e NATO-s.

“Shërbimet speciale të Rusisë janë ngarkuar me detyrën për të intensifikuar aktivitetet e tyre në territorin e shteteve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, deklaroi GUR. “Planet përfshijnë operacione hibride që synojnë minimin e ndihmës për Ukrainën dhe dobësimin e kapaciteteve të Aleancës”.

Sipas inteligjencës ukrainase, Moska synon të mbështetet te agjentë të rekrutuar në Evropë nga GRU-ja, inteligjenca ushtarake ruse, dhe FSB-ja, shërbimi rus i sigurisë, përfshirë përdorimin e tyre në operacione të mundshme sabotimi.

GUR identifikoi objektet ushtarake, infrastrukturën kritike dhe sistemet e komunikimit mes sektorëve që po monitorohen nga inteligjenca ruse.

“Mes objektivave të mundshëm të agresorit janë stacionet marrëse të internetit satelitor Starlink të vendosura në vendet evropiane”, deklaroi agjencia ukrainase.

GUR tha se i ka informuar tashmë partnerët ndërkombëtarë për planet e pretenduara.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur, sipas raportimit, Rusia ka intensifikuar operacionet hibride në Evropë, të cilat përfshijnë sabotime, sulme kibernetike, dezinformim, incidente me dronë dhe sulme ndaj infrastrukturës kritike.


Video